Blindimi i dyerve të qeverisë dhe numri i madh i policëve nuk i dha asnjë zgjidhje qeverisë. Pas katër ditësh protestash, Këshilli i Ministrave vendosi të tërhiqet nga deklarata se nuk ndërhyn në tregun e lirë. Madje teksa tubimi kishte nisur u diskutua dhe heqja e taksës së karburantit.
Kryeministria u blindua të premten në mbërmje pas deklaratave se këtë të shtunë do të zhvillohej një protestë kombëtare me kërkesat për uljen e çmimeve.
Masat shtesë vazhduan dhe në mëngjes, kur makinat ujëhedhëse dhe efektivë të shumtë policie u vendosën në selinë e qeverisë, e cila po ashtu nisi dhe mbledhjen urgjente për të marrë masa pas situatës ekonomike të krijuar sipas Edi Ramës nga lufta në Ukrainë.
Masat u dukën të kota sepse pavarësisht pjesëmarrjes masive në asnjë moment nuk u regjistruan incidente por vetëm fjalime, përmes të cilave duket se dhe qeveria ndryshoi.
Pavarësisht se Kryeministri i ka cilësuar protestat të nisura prej personave të shpallur “non grata”, pjesëmarrja dhe qëndrimet folën ndryshe.
Madje në protestë nuk u lejuan as deklarata politike, duke e zbritur një ish-banor të zonës së Astirit nga shkallët kur tentoi të fliste për opozitën.
Deklaratat e Kryeministrit se tregu është i lirë dhe nuk mund të ndërhyjë, duket se u ndryshuan në pak ditë.
Në mbledhje të qeverisë u diskutua pikërisht heqja e taksës ku deri në 31 dhjetor 2022, përjashtohen nga pagimi taksa e qarkullimit për benzinën dhe gazoilin.
Ky në fakt është projektligji i propozuar për uljen fillimisht të çmimit të karburantit e më pas dhe të produkteve të tjera.