Fondet e investimit, rregullat e reja për licencimin e shoqërive administruese dhe depozitarëve

0
250

Një projekt-rregullore e re e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare bazuar në ligjin “Për sipërmarrjet e investimeve kolektive” synon të vendosë piketat për licencimin dhe regjistrimin e shoqërive administruese dhe depozitarëve. Referuar projektit me 58 nene përcaktohen ndër të tjera procese të tilla si aplikimi për licencë.

Sipas rregullore shoqëria administruese e fondeve, nëpërmjet përfaqësuesit të saj, depoziton në Autoritet kërkesën e firmosur nga aksionarët themelues për licencim sipas një formati standard së bashku me dokumentacionin e kërkuar nga Ligji dhe kjo rregullore.  Brenda pesëmbëdhjetë ditëve pune pas datës së marrjes së kërkesës, njësia përgjegjëse për licencimin, shqyrton kërkesën në lidhje me dorëzimin e të gjithë dokumenteve të kërkuar sipas bazës ligjore dhe rregullave në fuqi.

Nëse ka mungesë të dokumentacionit kjo kërko0het nga ana er autoritetit me shkrim për plotësim dhe nëse nga ana e subjektit aplikant nuk plotësohet ndërpritet procesi i shqyrtimit deri në plotësimin e detajeve shtesë.

Tek dokumentacioni i nevojshëm përfshihet kërkesa, dokumentacioni mbi shoqërinë, burimin e kapitalit dhe aksionarët, organizimi i aktivitetit dhe plani i biznesit, qeverisja, përputhshmëria dhe konflikti i interesit, Procedurat, sistemet dhe kontrollet.

Një tjetër element i rregullores është ai i miratimit të personelit kyç dhe zotëruesve të pjesëmarrjes influencuese të shoqërisë administruese të fondit.

“Çdo person i cili është ose do të jetë zotërues i pjesëmarrjes influencuese ose person/personel kyç i shoqërisë administruese të fondeve duhet të jetë i aftë dhe i përshtatshëm për të mbajtur këtë pozicion, në përputhje me kërkesat e nenit 14 të Ligjit. Personat/personeli kyç dhe zotëruesit e pjesëmarrjes influencuese miratohen nga Autoriteti” thuhet në rregullore.

Për miratimin e personit/personalit kyç ka nevojë që të paraqiten një sërë dokumentesh që nisin nga vërtetimi i zotëruesit të CV e personave deri tek vetëdeklarimi se do të veprohet në përputhje me standardet.

Projekt-rregullorja parashikon se në rast se nuk plotësohen kushtet mund të refuzohet licenca dhe subjekti nuk mund të aplikojë të paktën për një vit.

Sa i takon depozitarit projekt-rregullorja përcakton se licenca si depozitar jepet nga Autoriteti para fillimit të ofrimit të shërbimeve të depozitarit dhe ushtron veprimtarinë në territorin e Republikës së Shqipërisë, për një periudhë kohore të pacaktuar.  Licenca si depozitar është e patransferueshme dhe nuk është objekt i trashëgimisë ligjore dhe testamentare.

“Shoqëria administruese e fondeve të çdo sipërmarrje të investimeve kolektive me ofertë publike dhe fondi alternativ i investimeve, duhet të emërojë një depozitar, i cili duhet të jetë i licencuar nga Autoriteti për të vepruar si depozitar i saj.

Emërimi i depozitarit kryhet në përputhje me kontratën e nënshkruar me shkrim nga depozitari dhe shoqërisë administruese të fondeve në praninë e noterit. Kontrata mbulon detyrimet kryesore të secilës palë, sipas kërkesave të Ligjit. Kontrata përmban parashikime që rregullojnë qarkullimin e informacioneve të nevojshme për t’i dhënë mundësi depozitarit të kryejë funksionet e veta për sipërmarrjen e investimeve kolektive.

Emërimi i depozitarit dhe çdo ndryshim në këtë emërim i nënshtrohet miratimit paraprak të Autoritetit dhe do të hyjë në fuqi vetëm në ditën kur Autoriteti jep miratimin e tij për dhënien e licencës” thuhet në dokument.

monitor