Në studion e emisionit “Bilardo”, Blendi Gonxhe rrëfeu detaje të progresit që po bëhet për finalizimin e projektit të automotoparkut të parë shqiptar, i cili do të ndërtohet në Elbasan. Gonxhe tha se ambicia mbetet sjellja e garës së Formula Unos në pistën e re. Kjo do të gjenerojë të ardhura dhe do të rrisë interesin te turistët e huaj. Sipas tij, ky projekt do të elektrizojë qendrën e Shqipërisë.
“Ne jemi në momentin më të rëndësishëm, sepse ravijëzohet në mënyrë finale projekti i detajuar, i cili është gati për fazën e prokurimeve. Jemi duke mbaruar akseset drejt zonës. Është mbaruar prita lumore, një investim i madh që na bëri të mundur të kishim tokë pa pagesë, rreth 700 mijë metra katrorë.
Me pak miliona euro kemi përfituar dhjetëra miliona euro. Në asnjë vend nuk mund të bëhen këto projekte pa ndihmën e shtetit sepse nuk e kanë kthimin që në fillim. Është një pikë ku do punojmë me teste. Ne do të bëjmë ca është e mundur që të plotësohen kriteret për Formula 1. Jemi në një pikë lobimi. Nëse do të ketë leverdi për vendin tonë, do të shkojmë drejt finalizimit. Është një investim edhe nga pikëpamja energjetike që të mbajë veten, do të jetë për ditë-natë. Do të ketë një ndërhyrje për një urë të re nga bajpasi i Elbasanit. Kjo sjell një elektrizim të gjithë qendrës së Shqipërisë.
Është në korridorin 8, është shumë afër Tiranës. Mendoni që ne presim rreth 90 mijë spektatorë në ditë, në 3 ditë gati 300 mijë. Këta do të shpërndahen në qytetet kryesore, Tiranë, Elbasan, Durrës, ku do të hanë e të flenë”, tha Gonxhe.