Ishte ora 4 e mëngjesit të së mërkurës sipas kohës lokale në Port Charlotte, Florida, kur Kenzie Luellen ndjeu se ishte gati të sillte në jetë fëmijën e saj, ndërsa Uragani Milton po afrohej.
Ajo ndodhej në shtëpi me nënën dhe partnerin e saj duke kërkuar rrugën më të sigurt për të ikur në spital.
Pas një udhëtimi “aventuresk” drejt spitalit, ajo lindi në një dhomë me pamje nga shkatërrimet e shkaktuara nga uragani.
“Mendja ime po vraponte, po mendoja, çfarë do të bëj?” deklaroi pas lindjes 22-vjeçarja, e cila siç pranoi ishte “shumë nervoze”. Në të njëjtën situatë ishte edhe partneri i saj 24-vjeçar, Bennett, i cili pak vite më parë, në vitin 2017, kishte humbur të atin në uraganin Irma.
Uragani Milton nuk kishte goditur ende, por shtëpia e çiftit tashmë po mbushej me ujë. Ata kishin menduar të evakuoheshin më herët në West Palm Beach, por për fat nuk e bënë sepse zona, siç u zbulua më vonë, ishte në qendër të uraganit.
Pas 4.5 orësh kontraktime në shtëpi, çifti më në fund mori vendimin dhe nisi udhëtimin e rrezikshëm për në Spitalin Memorial Sarasota.
“Është një bebe mrekullie ”, tha 22-vjeçarja.
Po atë natë gjashtë foshnja të tjera lindën në dy spitalet e qytetit gjatë uraganit Milton që goditi Florida.