Francë, 3 dhelpra ngordhin nga epidemia e gripit të shpendëve, frikë nga përhapja tek njerëzit

0
88

Autoritetet franceze zbuluan raste të gripit patogjen të shpendëve H5N1 te dhelprat e kuqe, në verilindje të Parisit, siç njoftoi sot Organizata Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH), duke shprehur shqetësimin për përhapjen e këtij virusi te gjitarët.

Në Mo, tre dhelpra u gjetën të ngordhura në një pyll, afër vendit ku ishin gjetur pulëbardha të ngordhura. Njëri prej tyre u mor dhe u ekzaminua, raportoi WOAH, duke cituar autoritetet lokale franceze.

Organizata Botërore e Shëndetësisë muajin e kaluar e përshkroi situatën me epideminë e gripit të shpendëve si “alarmante”, sepse rastet mes shpendëve dhe gjitarëve janë shtuar. Gjithashtu thanë se po vlerësojnë rrezikun pas zhvillimeve të fundit dhe pas faktit se në Kamboxhia janë regjistruar raste të transmetimit të virusit tek njeriu.

Gripi i shpendëve përfshiu botën vitin e kaluar dhe vrau më shumë se 200 milionë zogj, duke rritur çmimin e vezëve si dhe shqetësimet për përhapjen e virusit te njerëzit.

Një mace u infektua me këtë virus në Francë në fund të dhjetorit. Është gjetur gjithashtu në vizon në Spanjë, dhelpra dhe lundërza në Britani, luanët e detit në Peru dhe arinjtë e murrmë në SHBA. /abcnews.al