“Frekuentohesha me të dyja. Me Zhanetën isha i lidhur, por…”Krimi që tronditi vendin më 31 dhjetor, prokuroria çon në gjyq autorin e vrasjes së dy motrave

0
195

Prokuroria ka mbyllur hetimet dhe ka dorëzuar dosjen në gjykatë për të akuzuarin e vrasjes së dy motrave Zhaneta Metani dhe Kristina Bardhi.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 31 dhjetor të vitit 2020 në banesën e dy motrave në zonën e Astirit.

Mësohet se Prokuroria e Tiranës ka futur në dosjen që i ka dërguar gjykatës edhe akt ekspertimin mbi gjendjen mendore. Përparim Ademi ka rezultuar sipas prokurorisë pa probleme.

Krimi

Përparim Ademi ka përdorur si karrem fëmijën e njërës prej motrave për të hyrë në banesën e tyre, të cilat me sa duket e kanë kuptuar rrezikun për shkak të tentativës për t’u ndarë përfundimisht me të.

Kur e kanë parë ardhjen e tij, dy motrat që po hanin bukë, kanë tentuar të mbyllin derën, por ai ka qëlluar me armë duke i lënë të vdekura në vend.

Përparim Ademi ka hapur zjarr fillimisht në derë dhe më pas ka qëlluar në drejtim të dy motrave.

Dëshmia pas arrestimit

Përparim Ademi (Tela) ka shfaqur pendesë për krimin e rëndë teksa ka pohuar në polici pas arrestimit se ishte i lidhur me Zhanetën, por distancimi i saj dhe njohja me dikë tjetër duket se ka sjellë dhe vrasjen.

Në dëshminë e tij, Ademi ka deklaruar se është i martuar, por njëkohësisht dhe kishte lidhje me 45-vjeçaren.

“Jam i martuar, por prej kohësh frekuentohem me dy motrat Kristinën dhe Zhanetën. Ato të dyja ishin të divorcuara. Kristina jetonte në Greqi dhe takoheshim rrallë ndërsa me Zhanetën kam qenë i lidhur. Ajo nisi të distancohej me mua dhe mesa kuptova kishte nisur lidhje me dikë tjetër. Shkova ta takoj t’i kërkoja llogari. Doja t’i kërcënoja, por të dyja më ofenduan dhe unë qëllova. Jam penduar për krimin”, ka deklaruar autori.

PANORAMA