Fshati që fle me frikën e vdekjes, Spathari në Librazhd po rrëshqet me shtëpi e njerëz brenda

0
2

Spathari po rrëshqet. Dhe bashkë me tokën, po rrëshqet edhe jeta e një fshati të tërë.

Prej ditësh, rrëshqitja masive e dherave ka vënë në rrezik të drejtpërdrejtë jetën e banorëve të lagjes Hoxha, në fshatin Spathar të Librazhdit. Të paktën 7 shtëpi janë dëmtuar rëndë, ndërsa 30–40 familje ndodhen në rrezik kritik. Banorët flenë jashtë, bëjnë roje natë e ditë dhe presin momentin kur toka mund t’i varrosë për së gjalli.

E flejmë gjumin me ëndrra, nga frika se po shembet”, thotë një banor. Një tjetër dëshmon: “Po të mos kishim ikur 10 minuta më parë, 4–5 vetë do kishim vdekur”. Rrëshqitja ka këputur tubat e ujit, ka izoluar zonën dhe ka lënë familjet pa ujë, pa rrugë dhe pa strehë. “Jemi pa jetë. Pa shtëpi, pa ujë, pa rrugë”.

Fshati që fle me frikën e vdekjes, Spathari në Librazhd po

Zgjidhja e vetme që u ofrohet është qiraja për një vit. “Na thonë: gjeni shtëpi me qira. Po pas një viti, ku të shkoj?” – pyesin banorët. Mes tyre ka të moshuar 90-vjeçarë, familje me fëmijë dhe njerëz që jetojnë vetëm me asistencë sociale. “Me 4 mijë lekë asistencë nuk jetohet”.


Shteti ka dijeni për këtë rrezik prej 12 vitesh, por dosjet janë ricikluar nga një zyrë në tjetrën, pa asnjë zgjidhje konkrete. Ndërkohë, toka vazhdon të lëvizë. “Kjo është një katastrofë më e keqe se tërmeti”, thonë banorët, të cilët i bëjnë thirrje qeverisë: “Na bëni dy dhoma dhe na shpëtoni jetën”.

Spathari nuk kërkon luks. Kërkon të jetojë./ Emisioni “Fol”/