Fushë-Arrëz/ 12 orë rezistencë në banesë, gjenden armë, granta dhe fishekë në banesën ku ishte ngujuar Uka me Cumrakun

0
2

Zbardhen detaje nga ngjarja në Orosh të Pukës, ku dy të rinj u izoluan për disa orë në një banesë, ndërsa refuzonin që të dilnin prej aty pas urdhrit të policisë. Pas negociatave të njërit prej vëllezërve të të rinjve, ata u vetëdorëzuan.

Gazetari i Vision Plus, Esido Barkaj raporton se brenda banesës policia ka gjetur 4 automatikë, një pistoletë, 18 granata, 7 karikatorë me fishekë si dhe 2 mijë fishekë.

Po ashtu mësohet se Eren Uka dyshohet të jetë vetëplagosur për të ngritur akuza ndaj policisë se kanë qëlluar me armë, ndërkohë që ka një plagë sipërfaqësore në kofshë.

Operacioni nisi që në orën 07:00 të mëngjesit, kur banesa ku ata fshiheshin u rrethua fillimisht nga policia lokale dhe më pas, gjatë mesditës, nga njësia speciale RENEA. Të dy ata mendohet se qëndronin të fshehur në këtë banesë prej 2 muajsh.

Dy të kërkuarit, Julian Cumraku dhe Hamza Uka, ishin pikasur në mëngjes nga shërbimet e Policisë së Pukës.

Cumraku dhe Uka ishin prej kohësh nën vëzhgimin e Antiterrorit, teksa Erzen Uka, një ish-pjesëtar i forcave paqeruajtëse të Shqipërisë në Irak, ishte dënuar me tre vite heqje lirie nën akuzën e urrejtjes fetare.

Në vitin 2015, Uka u arrestua si i dyshuar për përgatitjen e fëmijëve dhe të rinjve për t’u bashkuar me ISIS, akuzë që aso kohe solli përplasje të forta mes Ukës dhe gjyqtarit Bibë Ndreca.

Dy personat, ndonëse rrallë ishin parë në rrugët e fshatit, nuk kishin shkaktuar probleme. Madje, ata kishin frekuentuar edhe xhaminë e fshatit Kryezi, në të cilën nuk ofrohen shërbesa të rregullta për shkak të mungesës së personelit fetar.

Dyshimet se ata ishin të armatosur rëndë e bënë situatën edhe më të rrezikshme, ndaj forcat speciale shmangën çdo ndërhyrje direkte deri në sigurimin e kushteve për një zgjidhje pa pasoja, edhe pse të dy ishin të vendosur të mos i përgjigjeshin thirrjeve për dorëzim të policisë.

Në vijim të negociatave, policia solli në vendngjarje vëllain e Julian Cumrakut dhe familjarë të tjerë, të cilët luajtën rol vendimtar në bindjen e tyre për t’u dorëzuar.