G7 heq dorë nga nafta ruse

0
109

Pas propozimit të Komisionit Evropian për të ndaluar importin e naftës ruse në vendet e unionit deri në fund të vitit, edhe shtatë shtetet më të industrializuara kanë dalë po në këtë përfundim. Liderët e G7-s u zotuan të gjejnë furnizues të tjerë të besueshëm dhe me çmime të arsyeshme për qytetarët.

Grupi i shtatë vendeve më të industrializuara u angazhua për të ndaluar ose ulur gradualisht importet e naftës ruse.

Masa përfaqëson përpjekjen e fundit të perëndimit për të ushtruar presion mbi presidentin rus Vladimir Putin për agresionin e vendit të tij ndaj Ukrainës.

Përmes një deklarate të përbashkët vendet e G7 thanë se angazhohen të heqin dorë nga importet ruse të naftës në kohën e duhur.

Ata gjithashtu thanë se do të angazhohen me shtetet partnere për të siguruar furnizime të qëndrueshme të energjisë dhe me çmime të përballueshme

Pjesë e video-konferencës me liderët e shtatë vendeve më të industrializuara ishte edhe presidenti ukrainas Zelenski.

Në adresimin që pati ndaj homologëve të tij, lideri ukrainas iu lut që të heqin dorë nga tregtia me Moskën.

“Është e nevojshme, ju lutem zbatoni këto sanksione. Asnjë operacion eksport-importi me Rusinë për sa kohë ata po shpenzojnë paratë që kanë fituar për të shkatërruar lirinë në Ukrainë dhe në mbarë Evropën.”- tha presidenti ukrainas

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione kundër tre stacioneve televizive ruse, ndaluan amerikanët të ofrojnë shërbime kontabiliteti e këshillimi për rusët si edhe vendosën kufizime për viza për 2600 zyrtarë rusë dhe bjellorusë.