Gara e televizioneve këtë sezon, nga politika e “vjetër” te programet “dating”

0
242

Kostoja e prodhimit të programeve në televizione është rritur për shkak të pandemisë. Blerjet në tregjet ndërkombëtare, nga ana tjetër, nuk kanë pasur ndryshim çmimesh, por negociatat kanë marrë më shumë kohë për t’u finalizuar për shkak të “smart working”. Drejtuesit e televizioneve kryesore në vend pohojnë se nuk ka ndryshime drastike në programacion dhe janë ruajtur emisionet e strukturës, ndërkohë që ka edhe rikonceptime. COVID-19 ka tkurrur buxhetet e reklamave, duke shkaktuar një rënie të të ardhurave të thuajse të gjithë mediave. Pavarësisht kësaj, edhe këtë sezon, çmimet e reklamimit nuk kanë ndryshuar, duke mbetur në të njëjtat nivele të një viti më parë. Në ekrane, këtë sezon, nuk do të mungojë argëtimi, por do të shtohen edhe dozat e politikës në një vit elektoral. Ndërkohë vihet re rritja e numrit të emisioneve “dating”. 

 

Nertila Maho 

Pandemia i riktheu lavdinë televizionit, kur sidomos gjatë karantinës, studime ndërkombëtare nxorën në pah se njerëzit po shpenzonin 40% të kohës së tyre në këtë formë. Mesatarja e orëve të kaluara para televizorit ishte 6 orë e 30 minuta në ditë, ndërkohë u dyfishua në raport me periudhën e mëparshme, koha që kalohej në platforma online si Netflix, Amazon Prime Video apo Disney+. Shifrat e audiencës kërcyen me një rritje 71% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

E teksa në njërën anë, qëndronte një publik i “uritur” për pak argëtim e informim, në anën tjetër ishin mediat dhe gjithë zinxhiri i lidhur me to dhe ku realizimi i programeve e prodhimi i filmave e serialeve ishte kthyer në një mision të vështirë.

Pavarësisht se në Shqipëri nuk ka të dhëna zyrtare të pranuara nga të gjithë, sa u takon treguesve të audiencës, kohës para ekranit apo platformave, nuk është vështirë të parashikosh se është ndjekur tendenca globale. Sezoni i kaluar në televizionet shqiptare, për shkak të paparashikueshmërisë, u përball me nevojën emergjente për përshtatje të programacionit me situatën.

Disa produksione u ndërprenë për shkak të kushteve strikte të distancimit që imponoi COVID-19, ndërsa të tjerë thjesht gjetën zgjidhje alternative. Ndryshe nga media e shkruar që mbylli dyert, mediat online dhe televizioni vijuan betejën nën moton “The show must go” (Shfaqja duhet të vazhdojë). Programet që i rezistuan situatës së pandemisë u zhvendosën nga studiot televizive në ambiente të hapura dhe me staf të reduktuar.

Publiku nuk ishte më i pranishëm, si një kusht i domosdoshëm për të mos lejuar përhapjen e virusit, kurse në disa raste të tjera, prezantuesit e programit ishin të vetmit në studio me të ftuar “online”, si një zgjidhje praktike dhe më e sigurt për të gjithë. Pandemia, ashtu sikurse ndodhi me çdo aspekt të jetës, ndryshoi edhe të bërit “të televizionit”.

 

Rriten koston për prodhimin e programeve në televizione 

Prodhimi i programeve ka marrë gjithmonë “pjesën e luanit” sa i takon shpenzimeve që bën një televizion, për të plotësuar programacionin e tij. Pavarësisht kësaj, televizionet gjeneraliste kanë synuar që t’i mëshojnë më shumë prodhimeve të tyre origjinale sesa blerjeve të gatshme, duke mbajtur një raport mes 12-17 orë prodhime programesh dhe pjesa tjetër, blerje që konsistojnë në seriale, filma, telenovela apo dokumentare. E sikur të mos ishte mjaftueshëm e vështirë pjesa e prodhimit edhe më herët, pandemia e ka bërë edhe më të vështirë, jo vetëm për shkak të kushteve sesi punohet, por sidomos për kostot.

Armand Shkullaku, Drejtor i Programeve në TV KLAN, nënvizon se kostot janë rritur gjatë pandemisë dhe shpjegon edhe arsyet pse vjen kjo. “Prodhimi në kohë pandemie është më i shtrenjtë, sepse njerëzit duhet të angazhohen më pak për të ruajtur veten dhe të tjerët nga përhapja e mundshme e virusit. Është më e vështirë të prodhosh, pasi mungesa e publikut ndihet në atmosferën e programeve. Kjo është një lloj pengese” pohon Shkullaku.

Në të njëjtën linjë është edhe Rezart Aga, Drejtor i Programacionit në Radio Televizionin Shqiptar. “Pa diskutim, si çdo televizion, edhe ne kemi bërë përshtatjet tona lidhur me situatën që u krijua nga pandemia. Sa i takon kostos së prodhimit, ajo është më e lartë sepse nuk janë në punë të gjithë kapacitetet, njerëzit largohen për hir të distancimit” – thotë Aga.

 

Negocimet për blerjet këtë vit zgjatën më shumë, shkak “smart working”

Nevoja për distancim fizik, për shkak të COVID-19, bëri që një pjesë e mirë e punëve të kryheshin nëpërmjet “smart working”, që do të thotë se punonjësit nuk e kishin të detyruar praninë në zyrë, por mund të punonin nga shtëpia. Një nga profilet që duket se ka prekur ky fenomen ishte edhe pjesa e agjentëve të cilët merren me shitjen e serialeve, filmave apo dokumentarëve për kompanitë që kanë të drejtat e tyre ekskluzive. Kjo ka zgjatur më shumë në kohë blerjet e reja këtë vit. Albert Dumani, Drejtor programacioni & Blerjesh në TV KLAN, pohon se nuk ka pasur rritje të çmimeve, por koha e negociatave ishte më e gjatë.

“Negocimi ka qenë i vështirë në kontaktin që kam pasur me distributorët e huaj, sepse shumica e tyre punon nga shtëpia, kështu që komunikimi me ta ishte më i gjatë këtë vit. Në lidhje me çmimin, pandemia duket se nuk ka ndikuar. I vetmi problem si për kompanitë prodhuese, ashtu dhe për mua në planifikim programacioni, ka qenë kohëzgjatja. Ishin parashikuar dhe kontraktuar shumë më tepër episode për sezonin që lamë pas, por prodhimi dhe xhirimi u ndërpre si në SHBA, Turqi, Brazil apo vende të tjera” – thekson Dumani.

Vjollca Dedei, e cila aktualisht mbulon pjesën e blerjeve për TOP Channel, tregon se në kohën e shpërthimit të pandemisë, kur një pjesë e programeve show u mbyllën, blerjet ishin emergjente dhe negociatat këtë vit kanë qenë ndryshe.

“Nuk mund të them as më i lehtë dhe as më i vështirë për këtë vit. Ishte ndryshe. Oraret e punës kishin ndryshuar. Ndërsa rrinim në shtëpi, oraret e punës humbnin në kohë. Bisedoje me ta në çdo kohë. Të gjithë ishin të trembur nga një ndodhi e beftë. Të gjithë punonin nga shtëpia, online.

Hera-herës, kjo situatë ndihmonte me çmimet, por kishte raste të tjera kur ishin të gatshëm të mbyllnin kontratën me kushtet e tua, po meqë të gjithë rrinin në shtëpi, nuk kishin mundësi të të dërgonin materialet dhe gjërat nuk funksiononin. Programacioni kërkonte ndryshim të menjëhershëm, pasi disa show u hoqën nga transmetimi, për shkak të pandemisë dhe programet e blera ishin një emergjencë” – pohon Dedei.

 

Kriza e COVID-19 tërhoqi reklamat, dobësohen buxhetet e marketingut

Efekti zinxhir që solli pandemia, jo vetëm në jetën e secilit, por edhe në gjithë sektorët e ekonomisë, preku edhe televizionet në një nga pikat e tyre kryesore, të ardhurat nga reklamat. Teksa audienca ishte mbërthyer para ekranit, pasi alternativat e argëtimit në karantinë janë të kufizuara, bizneset të gjendur në vështirësi, vendosën të ulnin buxhetet e marketingut. “Pavarësisht se puna jonë nuk u ndal, për asnjë moment, nga ana tjetër, biznesi pati një tërheqje. Kjo edhe për shkak të pasigurisë së krijuar rreth një situate që ende edhe sot askush nuk mund të thotë sesa mund të zgjasë dhe se kur do të mund të përfundojë.

Rialokimi i fondeve dedikuar marketingut në favor të zërave të tjerë brenda shumicës së bizneseve, pati impakt edhe në qasjen e biznesit për të reklamuar në televizion, duke prekur jo pak, por një pjesë të mirë të buxhetit të reklamës” – thotë Ilir Dyrmishi, Drejtor Promocioni në Vizion Plus. Pavarësisht se ka pasur një lloj tërheqje në reklamim, situata ka nisur disi të normalizohet. Armand Shkullaku, nga TV KLAN, pohon se biznesi nga ana tjetër është bërë më hulumtues në përzgjedhjen e ekranit dhe fashës orare se kur do të reklamojë.

“Ajo që vë re është se biznesi në Shqipëri ka nisur të jetë më kërkues, më hulumtues. Nëse dikur shpërndahej reklama me hamendje, sot bëhen sondazhe audience, grupmoshe dhe reklamë e targetuar. Kjo situatë është një lehtësim për televizionin nga ana tjetër, pasi është vetë biznesi që merr përsipër koston e gjetjes së emisionit, fashës orare dhe targetit që i leverdis. Ne në Shqipëri kemi mungesë të madhe dhe jemi tek vendet e rralla që s’kemi matje audience. Kur të kemi një strukturë që bën matje dhe pranohet nga të gjithë, kjo do t’i shërbejë medias dhe biznesit” – nënvizon ai.

 

 

Programet “më të shtrenjta” dhe ato më “të lira” sa u takon reklamave 

“Monitor” përpunoi edhe këtë vit ofertat e tre televizioneve kryesore në vend në lidhje me çmimet e reklamës që ato aplikojnë në programet kryesore. Në raport me një vit më parë, duket se çmimet mbeten në të njëjtin nivel në shumicën e tyre.

Pritshmëria ishte që, për shkak të pandemisë dhe buxheteve më të kufizuara të marketingut nga bizneset, të kishte një ulje të lehtë, por zakonisht edhe uljet bëhen në kohë negocimi. Kjo do të thotë që gjatë fazës së negociatave për blerjen e kohës televizive, të aplikohen çmime të tjera nga ofertat zyrtare, duke pasur parasysh periudhën e reklamimit, fashat orare apo elemente të tjera shtesë.

Por cilat janë programet më të shtrenjta dhe më të lira brenda ekraneve?

Në Top Channel, “Portokalli” mban rekordin me 8750 lekë/sekondë për reklamat që transmetohen gjatë programit, ndërkohë që para programit, aplikohet tarifa 4410 lekë/sekondë. “Shiko kush luan” dhe “Hell’s Kitchen” janë të dytët, me çmim 7800 lekë/sekondë gjatë emisionit dhe 4000 lekë/sekondë para emisionit. Programet më të lira për reklamim janë “Fshatrat e Shqipërisë”, “Wake Up”, “Top Talk”, që para emisionit variojnë mes 625-750 lekë/sekondë, ndërsa gjatë emisionit, çmimi është 1250 lekë/sekondë.

Në TV Klan, “Opinion” dhe “Klanifornia” mbajnë çmimin më të lartë për reklamat që transmetohen gjatë ndërprerjes së emisionit me 6750 lekë/sekondë, ndërsa para emisionit, çmimi është 3400 lekë/sekondë. “Zonë e Lirë” dhe “E diela shqiptare”, janë të dytët, me 5400 lekë/sekondë për transmetimin gjatë programit, ndërkohë që para tij është respektivisht 3400 lekë/sekonda dhe 1400 lekë/sekonda. “Stop” dhe serialet në “prime time” mbajnë vendin e dytë me 4400 lekë për reklamat gjatë transmetimit. Programi më i lirë për reklamim është “Aldo Morning Show” me 550 lekë/sekondë para programit dhe 950 lekë/sekondë gjatë programit.

Vizion Plus, në listën e programeve më të shtrenjta për reklamim, ka “Këngë Moj” dhe “Al Pazar” me 6600 lekë/sekondë për transmetimin gjatë emisionit ndërsa para emisionit, çmimi është 3000 lekë/sekondë. “Talk Show me Alban Dudushin” dhe “Binjakët” me 5000 lekë/sekondë, për reklama gjatë emisionit dhe 2500 lekë para tij. Emisionet me çmimet më të lira të reklamimit në ekranin e Vizion Plus janë “7 pa 5”, në mëngjes, me 300 lekë/sekondë para emisionit dhe 600 lekë gjatë transmetimit, ndërkohë që “Next” vjen i dyti me 500 lekë/sekondë para programit dhe 600 lekë gjatë transmetimit.

 

Televizionet i qëndrojnë besnik strukturës, shtohet doza e politikës

Programet e reja në televizione nuk do të mungojnë edhe këtë sezon, por numri i tyre është më i ulët se vitin e shkuar. Kjo gjithsesi nuk është unifikuese dhe varion nga ekrani në ekran. Megjithatë, pjesa më e madhe kanë zgjedhur të mbajnë programet e tyre të strukturës që janë të sprovuar me vite, një pjesë të të cilave i kanë rikonceptuar duke i shtuar elemente të reja.

“Ne kemi bërë pak ndryshime dhe jo të forta, sepse programet që qëndrojnë prej vitesh në ekran mbeten më të pëlqyerit e audiencës. Një program është i mirë kur është i qëndrueshëm dhe bëhet familjar me publikun. Stabiliteti i jep frytet e veta, ndërsa luhatjet e shpeshta kanë dëmtuar jo pak televizione” – tha Shkullaku.

Nga ana tjetër, hyrja në një sezon, që përfshin një vit elektoral, duket se ka bërë që në disa televizione të shtohet doza e politikës. Në Vizion Plus shtohet një emision në “prime time”, tre herë në javë, pikërisht me fokus politikën dhe aktualitetin. “Pranvera Borakaj do të vijë këtë sezon në ‘prime time’ me një program politik. Jemi në vit zgjedhor dhe politika do të zërë një vend të veçantë në programacion” – shprehet Ilir Dyrmishi. Edhe në RTV ORA, do të ketë një emision të ri, i fokusuar te politika që vjen nën moderimin e Alfred Lelës.

Në Top Channel, politika do të mbulohet nga “Open” e Eni Vasilit, dy herë në javë, ndërsa në Klan, “Opinioni” i Fevziut do të transmetohet në të njëjtat ditë dhe orare si në sezonet e kaluara, me fokus edhe më të gjerë sesa politika dhe aktualiteti.

 

Shtohen formatet “dating” në televizionet shqiptare 

Pjesa e programeve argëtuese në televizione ka qenë gjithmonë dinamike, ku përpos prodhimeve origjinale të vetë televizioneve, një pjesë e rëndësishme ka qenë edhe blerja e patentave ndërkombëtare. Në vitin 2020 duket se po bie në sy më së shumti një orientim drejt formateve “dating”, apo të historive të dashurisë. Në Klan është njoftuar nisja e një programi që do të prezantohet nga Alketa Vejsiu, “Love Story”, ku disa vajza do të jenë në njohje të një beqari, me synimin për të finalizuar një çift në fund të sezonit.

Top Channel, nga ana tjetër, parashikon që të nisë transmetimin e një formati po dating si “Take me out”. Transmetimi i tij ishte menduar pikërisht atëherë kur vendi u paralizua nga karantina dhe gjithçka u pezullua për një moment tjetër. Ndërkohë në Top Channel vazhdon në një sezon të dytë programi “Përputhen”, që ka në thelb sërish njohjet dhe krijimin e çifteve.