Ditën e sotme pati sërish tensione në Kuvendin e Shqipërisë. Siç është bërë e zakonshme, javët e fundit e pranishme dhe protagoniste ishte dhe Garda e Republikës.
Në një moment ata ndaluan gazetarët që të raportonin. Për këtë ata kanë dhënë një sqarim mediatik.
Ata kërkojnë mirëkuptimin e medias dhe publikut në tërësi. Nga ana tjetër Garda garanton se do të ketë të gjithë angazhimin maksimal për krijimin e kushteve optimale për seancat plenare në Kuvend.
Reagim i Gardës së Republikës
Nisur nga reagimi publik i Komunitetit të Reporterëve të Politikës gjatë ditës së sotme, mbi një incident të ndodhur në oborrin e godinës ku mbahen seancat parlamentare, Garda e Republikës kërkon mirëkuptimin e medias dhe publikut në tërësi, nëse për shkak të zbatimit rigoroz të masave për sigurinë dhe mbarëvajtjen e punimeve në Kuvend, mund të jenë bërë pengesë në mënyrë të padëshiruar për përmbushjen e detyrave dhe misionit të tyre.
Në analizë të situatës së krijuar sot, drejtuesit e Gardës kanë tërhequr vëmendjen e Shërbimeve pranë Parlamentit, për të shmangur incidente të ngjashme.
Media mbetet një partner i rëndësishëm për garantimin e transparencës, informimin e publikut, e në këtë frymë bashkëpunimi të konsoliduar, Garda e Republikës garanton se do të ketë gjithë angazhimin për krijimin e kushteve optimale për to, për funksionalitetin dhe mbarëvajtjen e punimeve në sallën plenare apo Komisionet parlamentare.