Çmimi i gazit në bursa zbriti të enjten nën 1 mijë dollarë për 1 mijë metër kub, pasi arriti maksimumin historik një ditë më parë.
Vlera për gazin holandez që merret si standard për Europën u ul nën 100 euro për megavat-orë pak orë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, tha se eksportuesi i saj, Gazprom, mund të rritë furnizimin për Europën për ta shpëtuar kontinentin nga një krizë e vërtetë energjetike.
“Le ta rritim furnizimin në treg por me kujdes. Kjo situatë spekulative nuk ka ndihmon asnjërit,” tha kreu i shtetit rus.
Ndërsa Moska përsërit se Gazpromi vetëm po përmbush kontratat me shtetet dhe se është faji i shteteve që nuk kanë menduar për rezervat e dimrit, tregtarët e gazit në bursa pretendojnë se rritja gati pesëfish e çmimit të gazit këta vit është një plan i menduar mirë për ta shtyrë BE-në që të miratojë sa më shpejt vënien në punë të gazsjellësit “Rrjedha Veriore 2”, i cili do të sjellë gaz nga Rusia përmes Detit Baltik.
“Europa tani është peng i Rusisë për furnizimin me energji. Është një formë shantazhi, një lloj kapjeje prej fyti në kuptimin energjetik, dhe Europa apo Britania janë kaq të dobëta sa nuk thonë dot gjë pasi ka dimrin përpara,” mendon Timothi Esh, analist në një kompani që menaxhon asetet financiare.
Gazsjellësi “Rrjedha Veriore 2” pritet ta ulë çmimin e gazit por ende nuk është certifikuar nga Gjermania si vend fundor.
Autoritetet në Bruksel thonë se tregu i gazit ka për t’u normalizuar në pranverë, dhe deri atëherë qeveritë do duhet të veprojnë me politika kombëtare të subvencionimit të çmimit ose duke ulur taksat për konsumatorët e mëdhenj.