Qeveria propozon unifikimin e akcizës për gazet e naftës dhe hidrokarbure të tjera gazoike për të gjitha destinacionet e përdorimit të tij në nivelin 6 lekë/litër.
Aktualisht, niveli i akcizës për këtë nënprodukt është 8 lekë/litri, nëse ai përdoret si lëndë djegëse për automjetet, dhe 0 lekë/litër për sasinë që përdoret nga konsumatorët e tjerë për çdo qëllim.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj bëri të ditur sot në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave teksa po prezantonte paketën e re fiskale për vitin 2022 se “përvoja disa vjeçare ka treguar se administrimi i deklarimit të destinacionit të përdorimit të këtij nënprodukti është shumë i vështirë, duke krijuar mundësi për shmangie nga pagesa e akcizës”.
Ndaj tha ajo, propozohet dhe unifikimi i akcizës për këto produkte.
Sipas Ibrahimajt, nga unifikimi i akcizës për gazet e naftës dhe hidrokarburet e tjera gazoike në nivelin 6 lekë/litri pritet që të arkëtohen rreth 375 milion lekë akcizë në vit
Nga sasia e importuar e kësaj lënde djegëse rezulton se rreth 2/3 (350 milionë litra) nuk ngarkohet me akcizë, që presupozon se nuk përdoret si karburant për automjetet, ndërsa rreth 1/3 (180 milionë litra) e sasisë së importuar deklarohet për përdorim automjetesh dhe ngarkohet me akcizë. /j.p/