Gënjeu i penduari Klevis Alla, SPAK-u rrëzon 4 akuza për vrasje ndaj Talo Çelës. Pritet pushim dhe për Altin Ndocin

0
642

Rrëzohen 4 akuza për vrasje të ngritura ndaj Talo Çelës, njeriut më të kërkuar në Shqipëri, që për shkak të dinakërisë dhe aftësisë inteligjente për tu fshehur, në korridoret policore njihet me nofkën “Dhelpra”.

“Ora News” ka mësuar përmes burimeve në SPAK, se treshja e prokurorëve të dosjes “Plumbi i artë”, Altin Dumani, Behar Dibra dhe Doloreza Musabelliu, i janë drejtuar me një kërkesë gjykatës së posaçme SPAK, duke kërkuar pushimin e ndjekjes penale për Talo Çelën në 4 vrasje të ndodhura në Durrës.

Akuzat për Çelën, janë pushuar për vrasjen e dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhiaj ngjarje e ndodhur në muajin Prill 2020 në Durrës dhe ekzekutimin e Anxhelo Avdisë e Dorjan Shkozës, ngjarje kjo e ndodhur në fillim të muajit Mars 2020 në Durrës.

Megjithëse aktualisht ka një kërkesë për pushim të akuzave, sërisht Talo Çela, do vijojë të qëndrojë në kërkim, pasi akuzohet nga Dumani për vrasje të tjera dhe grabitje me armë.

Hetimi për 4 vrasjet ndaj Talo Çelës nisi nga prokuroria e Durrësit dhe më pas u transferua në prokurorinë e posçme SPAK.
Ka qënë i penduari Klevis Alla, ai që deklaroi përpara kryepolicit Tonin Vocaj, se autor në vrasjen e dy vëllezërve Haxhiaj dhe shokëve Avdija e Shkoza, ishte pikërisht Talo Çela dhe Altin Ndoci.

Kjo dëshmi e Allës, erdhi pasi vetëm pak orë para se ai të arrestohej nga policia, Alla ishte takuar me Nuredin Dumanin, i cili e kishte orientuar e mësuar se çfarë duhet të fliste në polici dhe cilin të akuzonte.

Por gati 3 vjet e gjysëm nga ndodhja e 4 vrasjeve, tashmë SPAK është bindur se Talo Çela nuk ka asnjë lidhje me dy ngjarjet kriminale të ndodhura në Durrës.

SPAK, i besoi verbërisht dëshmisë së të penduarit Klevis Alla, por pas arrestimit të Henrik Hoxhaj dhe Nuredin Dumanit, rezultoi se Alla kishte gënjyer në tregimin e emvrave të dy ngjarjeve kriminale. Alla ka pohuar se vrasjet i ka kryer Talo Çela dhe Altin Ndoci.

Por hetimet e kryera dhe nga dëshmia e Dumanit dhe Henrik Hoxhaj, doli se Çela dhe Ndoci nuk kanë pasur asnjë lidhje me ngjarjen.

Nisur nga kjo situatë, SPAK tashmë ka kërkuar në gjykatë pushimin e ndjekjes penale për Talo Çelën, duke e konsideruar si jo pjesëmarës në vrasjen e Anxhelo Avdisë, Dorjan Shkozës, Besmir Haxhiaj dhe Viktor Haxhiaj.

Pritet që në ditët në vijim pushimi i akuzës të kërkohet në gjykatë dhe për Altin Ndocin, i cili është arrestuar dhe mbahet në burg si autor i dyshuar në këto 4 vrasje.

Kjo është hera e parë në dosjen “Plumbi i artë”, që SPAK çedon zyrtarisht në aspektin e dëshmitarëve të penduar dhe pas disa viteve hetime deklarimet e tyre nuk përputhen me realitetin.

Në tavolinën e SPAK, tashmë janë deklarimet e 4 të penduarve të tjerë.

Ndërsa në muajin korrik 2023, SPAK urdhëroi ti revokonte Henrik Hoxhaj, statusin e bashkëpuntorit të Drejtësisë, për shkak se ai nuk ishte treguar i sinqertë në 4 ngjarje kriminale.