Gjenden 2 kallashnikovë dhe municione në Dropull, dërgohen për ekspertim

0
2

Policia në Dropull ka gjetur dhe sekuestruar 2 armë zjarri kallashnikovë dhe municion luftarak në një banesë të pabanuar në fshatin Bodrishtë.

Nga informacionet e marra në rrugë operative dyshohet se një shtetas, që nuk është banor i fshatit Bodrishtë, i kishte fshehur armët e zjarrit në një banesë të pabanuar dhe për shkak të presionit policor, armët e zjarrit dhe municionin luftarak i kishte hedhur në terren.

Gjatë kontrollit të territorit, në bashkëpunim me punonjësit e pastrim-gjelbërimit, këta të fundit gjetën në një kosh mbeturinash, 2 armë zjarri kallashnikovë dhe municion luftarak.

Armët e zjarrit do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekspertim, për të parë nëse janë përdorur ose jo në ngjarje kriminale të mëparshme.

Gjithashtu, një grup i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për identifikimin dhe kapjen e shtetasit që posedonte armët e zjarrit dhe municionin luftarak.

© SYRI.net