Një aksident tragjik ka ndodhur pranë Koblenz në Gjermani. Në aksident mësohet se janë përfshirë edhe disa shtetas shqiptare. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar lidhur me këtë ngjarje, ndërsa njofton se nga aksidenti kanë humbur jetë 3 shqiptarë. Ndërsa katër të tjerë janë të plagosur dhe po marrin trajtim në spitalet lokale.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është informuar nga autoritetet gjermane për një aksident të rëndë rrugor të ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 25 maj, pranë qytetit Koblenz, ku janë përfshirë disa shtetas shqiptarë. Me keqardhje njoftojmë se si pasojë e këtij aksidenti kanë humbur jetën tre shtetas shqiptarë, ndërsa katër të tjerë janë plagosur dhe po marrin trajtim në spitalet lokale. Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Berlin dhe Konsullata e Përgjithshme në Mynih kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet gjermane dhe kanë ndjekur nga afër zhvillimet. Hetimet për rrethanat e aksidentit janë ende në vijim. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe uron shërim të plotë për të plagosurit. Strukturat tona konsullore kanë ofruar mbështetjen e nevojshme për qytetarët e prekur dhe kanë qenë të angazhuara gjatë gjithë ditës për të ndihmuar në menaxhimin e situatës”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme.
/abcnews.al/