Gjermania ka marrë presidencën e Këshillit Europian për gjashtëmujorin e dytë të vitit, me fokus në temat më urgjente si pandemia e koronavirusit dhe ekonomia, por pa lënë jashtë objektivave edhe projektet afatgjata si zgjerimi drejt Ballkanit Perëndimor.
Gjermania të mërkurën nis kryesimin e Këshillit Europian për gjashtë muajt e radhës, duke pasuar Kroacinë për t’u fokusuar në sfidat e momentit si pandemia dhe rindërtimi i ekonomisë, por edhe projektet e zgjerimit dhe të afrimit të Shqipërisë në familjen europiane.
Programi “Së bashku për rimëkëmbjen e Europës” i publikuar nga Berlini detajon axhendën të cilën Gjermania synon të trajtojë në këtë periudhë së bashku me krerët e qeverive të BE-së.
Ndërsa në planet fillestare fokusi ishte vënë te siguria e kufijve europianë, te raportet me Kinën dhe te ndryshimet klimatike, pandemia e koronavirusit do të jetë sivjet në plan të parë.
Për Tiranën dhe Shkupin, Gjermania sikundër Kroacia para saj angazhohet t’i kushtojë vëmendje të veçantë negociatave në gjashtëmujorin e dytë të vitit.
“Ne kërkojmë një perspektivë të besueshme të anëtarësimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Afrimi i tyre është si në interesat e Ballkanit, edhe në atë strategjik të BE-së. Në këtë situatë, ne jemi inkuadruar te avancimi i negociatave për anëtarësim me Serbinë dhe malin e Zi dhe po përgatitemi të nisim negociatat për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke përpiluar një kornizë negocimi për të dyja vendet, në bazë të metodologjisë së re të zgjerimit,” thekson Gjermania për aspiratat e saj në udhëheqje të Këshillit Europian.
Presidenca e KE-së nuk ka fuqi formale por merr rëndësi politike kur i gjithë kontinenti përballet me sfida nga më të ndryshmet.
Më urgjentja është kalimi i kornizës financiare të unionit për 7 vitet e ardhshme, të cilën diplomatët e BE-së shpresojnë të miratohet brenda korrikut, por edhe bisedimet post-Brexit me Britaninë e Madhe.
Kjo presidencë e Këshillit do lejojë kancelaren gjermane Angela Merkel të marrë përsipër ndoshta për herë të fundit një rol vendimtar në politikën ndërkombëtare pasi ka lajmëruar tërheqjen nga politika vitin e ardhshëm, kur edhe i mbaron mandati i katërt në krye të qeverisë.
Përpos KE-së, Gjermania udhëheq aktualisht edhe ekzekutivin e BE-së me në krye presidenten Ursula fon Der Lajen, dhe nga e mërkura do ketë për një afat njëmujor edhe Këshillin e Sigurisë të Kombeve të Bashkuara.
Nga 1 janari i vitit 2021, presidenca e Këshillit Europian do i takojë Portugalisë.
/Ora News.tv/