Një mbrëmje emocionuese si kjo që dhuruan ndeshjet e fundit të Grupit F, ndoshta nuk mund të ketë më në Euro 2020. Gjermania bën me zemër tifozët teksa vetëm falë një barazimi 2-2 me Hungarinë arrin të kualifikohet ndërsa Franca e mbyll e para me barazimin tjetër 2-2 me Portugalinë.
Në “Allianz Arena”, panzerat vuajnë menjëherë dhe duken ndryshe nga skuadra që dominoi Portugalinë dhe hungarezët shënojnë të parët me Szalai në 11’. Të shokuar skuadra e Low nuk di të reagojë dhe është e paqartë dhe vetëm në pjesën e dytë nga një gabim i portierit Gulasci në min. e 66’ Havertz përfiton për të barazuar.
Ende pa e marrë veten, Gjermania shokohet kur Schafer kalon sërish në avantazh Hungarinë në 68’ dhe minutat më pas janë një vuajtje e vërtetë. Pas insistimeve të mëdha vetëm në 84’ vjen shpëtimi i Gjermanisë kur Goretzka me një top që merr në zone ndëshkon Hungarinë. 2-2 dhe vërshëllima finale gëzon gjermanët që tani në 1/8 do të përballen me Anglinë.
Në sfidën tjetër të grupit F, ka spektakël të vërtetë në fushë ku yjet u përplasën në “Puskas Arena” dhe askush nuk u zhgënjye. Portugalia luante me frikën se një humbje e thellë do ta eliminonte por menjëherë shënoi e para me Ronaldon falë një penalltie të pastër në 31’.
Franca iu kundërpërgjigj me të njëjtën monedhë edhe pse penalltia ishte e dyshimtë ndërsa Benzema nuk gaboi nga pika e bardhë. Edhe pjesa e dytë ishte spektakolare me dy gola të shënuar nga të dyja ekipet ku sërish Benzema gjeti golin dhe avantazhin për Francën ndërsa Ronaldo iu përgjigj me një tjetër penallti. Tashmë gjithçka vendoset ku Franca e para, Gjermania e dyta dhe Portugalia e treta nga Grupi F, avancojnë në 1/8 e Europianit.
ora news