Shtetet e Bashkuara kanë shënuar rënie në nivelin e mbështetjes në rang global, teksa shteti më i admiruar, për të tretin vit rradhazi është Gjermania. Besimi për ShBA-në në Europë, sipas një sondazhi të Gallup ka rënë ndjeshëm. Gjithëesi, shifrat tregojnë se Kosova mbetet vendi me përkrahjen më të lartë në kontinentin e vjetër për Amerikën, ndjekur nga Shqipëria dhe Polonia në vend të tretë.
Gjermania është listuar si vendi më i admiruar i botës për të tretin vit rradhazi, duke i lënë Shtetet e Bashkuara në një betejë për vendin e dytë përballë Kinës dhe Rusisë. Një sondazh i fundit i Gallup ka treguar se mbështetja në rang global për ShBA-në ka mbërritur në 33%, një shifër kjo shumë herë më e ulët se Gjermania e cila gëzon përkrahjen e 44% të globit.
Analistët e kanë lidhur këtë rënie me politikat kontroverse të Presidentit, Donald Trump, ndonëse ky i fundit shprehet se i ka dhënë Amerikës një imazh më të fortë në arenën ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara u renditën vetëm 1% më mirë se Kina dhe 3% më mirë se Rusia që zë vendin e katërt.
Diçka e tillë vë në pikëpyetje deklaratën e një dite më parë nga Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, i cili u shpreh se ShBA-ja vijon të gëzojë respektin e duhur për të udhëhequr botën e lirë në rivalitetin e vazhdueshëm me Kinën.
Ndërkaq, sa i perket Kancelares Merkel, kjo e fundit, edhe pse mund të ketë njerëz që e përkrahin apo jo, vijon të tregojë nota pozitive në sondazh.
Duke u kthyer tek Shtetet e Bashkuara, duhet theksuar se besimi i europianëve tek aleatët tradicionalë ka rënë ndjeshëm.
Por, një fakt interesant që del në pah nga sondazhi, tregon se përkrahësja më e madhe e Shteteve të Bashkuara në Europë është Kosova, ku 82% e popullsisë tregojnë mbështetje, e ndjekur nga Shqipëria me 67% dhe Polonia me një shkallë aprovimi prej 59%.
ora news