Atalanta e Gjimshitit bie në “Iduna Park”, pëson një humbje të pastër 2-0 duke ndërlikuar ecurinë në Champions League. Dortmund vijon ecurinë e shkëlqyer këtë periudhë, me ekipin e Kovac që ishte superior në çdo aspekt duke mos e diskutuar për një moment suksesin përballë italianëve.
Verdhezinjtë e nisën ndeshjen me gol ku pas vetëm 3 minutash, në topin e parë që i erdhi në zonë, Guirassy me kokë dërgoi topin në rrjetë duke bërë që stadiumi të shpërthente në festë. Vendasit ishin kërcënues në goditje standarde, ndërsa në fundin e pjesës së parë, Guirassy këtë herë shërbeu një asist të pastër për Beier, me këtë të fundit që e kishte të lehtë të shtynte topin në portën e boshatisur. Në fraksionin e dytë, Atalanta u përpoq të rikthehej në lojë, të shënonte të paktën një gol, por pa sukses, me rezultatin që mbeti i pandryshuar deri në fund.
Berat Gjimshiti, ashtu si pjesa tjetër e prapavijës së Atalantës nuk ishte në një ditë pozitive, i vlerësuar nga mediat me notën 5,7.
Pavarësisht humbjes 2-0, trajneri Palladino beson te kualifikimi: “Mëkat që e nisëm ndeshjen 1-0. Ata janë një skuadër e mirë, ne e dinim që do të na sulmonin në thellësi, kanë individë shumë të fortë. Tani pjesa e dytë do të luhet në shtëpinë tonë, mund të bëjmë dy gola. Djemtë e besojnë këtë”, u shpreh Palladino.


