Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në mesnatë duke u gdhirë dita e sotme në Gjirokastër. Një automjet i OSHEE është rrëzuar në lumin Drino përballë fshatit Lazarat.
Ora News mëson se në bordin e automjetit kanë qenë dy punonjës të OSHEE-së të Rajonit Gjirokastër, të cilët ishin duke inspektuar zonën lindore të luginës pasi kishte avari në linjat e përcjelljes së rrymës elektrike.
Avaria është konstatuar në fshatin “Asim Zeneli” dhe për këtë qëllim kanë shkuar për të ndërhyrë dy elektriçistët Selfo Kallfa dhe Ismet Isaraj.
Si pasojë e terrenit të keq dhe errësirës, mjeti me të cilin lëviznin dy punonjësit e OSHEE, kanë devijuar në një rrugë pranë bregut të lumit dhe e kanë pasur të pamundur për të manovruar mjetin, duke përfunduar në rrjedhën e lumit në thellësi.
Dy elektriçistët nuk kanë mundur dot të dalin. Menjëherë në vendngjarje ka shkuar Policia e Gjirokastrës së bashku me PMNZSH për të ndërhyrë.
Mirepo për shkak të thellesise dhe motit të acartë, autoritetet vendore policore kane kërkuar nga kryeqyteti polumbarë për të nxjerrë automjetin dhe dy elektriçistët të cilët besohet se janë mbytur.
Polumbarët kanë mundur të nxjerrin trupat e pajetë vetëm në orën 09:10 të paradites së sotme, 17 shkurt. Ndërkohë vijon puna për tërheqjen nga lumi të mjetit tip “Xhip” të OSHEE.
I gjithë procesi është ndjekur nga kryebashkiaku i Gjirokastrës Flamur Golemi, prefekti Odise Kote dhe drejtori i Policisë së Gjirokastres Fatmir Hoxha.
Njoftimi i policisë për ngjarjen
Rreth orës 00:30, në shtratin e lumit Drino, një automjet të OSHEE-së, në përpjekje për të kaluar lumin, e ka marrë rrjedha e lumit dhe për pasojë kanë humbur jetën dy elektricistët që ndodheshin në mjet, shtetasit I. I., 64 vjeç dhe S. K., 52 vjeç banues në Gjirokastër.
Trupat e të dy shtetasve u nxorën nga polumbarët e RENEA-s. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.