GJKKO ka lënë në burg ish-deputetin e Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja, i akuzuar për “Tregim të sekretit shtetëror nga shtetasit, kryer më tepër se një herë”, “Përkrahje e autorit të krimit” dhe “Korrupsion pasiv në zgjedhje”.
Çyrbja akuzohet se ka ndarë dosjen në fraksion për te identifikuar funksionarët që kanë ndihmuar persona të tjerë në dhënien e informacioneve të klasifikuara sekret.
Gjyqtarët e GJKKO-së miratuan masën e arrestit me burg për të, deri në përfundim të gjykimit, duke rrëzuar kërkesën e ish-deputetit për ndryshim të masës së sigurisë.
Nga hetimet e SPAK, është vërtetuar se ish-deputeti Çyrbja në bashkëpunim me Ahmet Mashën dhe Altin Hajrin, gjatë periudhës 1.5.2020 deri në datë 8.3.2021 duke u koordinuar nga bisedat të zhvilluara nga aplikacionin SkyECC, janë vënë në dijeni të të dhënave të sistemit “TIMS” nga persona të tretë të shpallur në kërkim, mbi veprimtarinë e Policisë së Shtetit kryesisht në qarkun e Durrësit, por dhe më gjerë, për kapjen e personave të shpallur në kërkim.
Në hetime gjithashtu është dëshmuar se gjatë periudhës 2017-2021, kur Jurgis Çyrbja është zgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipërisë, ka pasur marrëdhënie të ngushta me të pandehurit Altin Hajri, një eksponent i botës së krimit i shpallur në kërkim ndërkombëtar për kryerjen e veprave të shumta penale.
SPAK tregon se Çyrbja i ka premtuar Hajrit ndikim në organet e drejtësisë me qëllim përkrahjen në përiudhën elektorale, kur Çyrbja garonte për deputet në qarkun e Durrësit.