GJKKO rrëzon Pajtime Fetahun sërisht

0
2

Ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu, e njohur edhe me nofkën “Komshija” në komunikimet e koduara të bandave kriminale, nuk ia doli të bindë GJKKO-n për të dalë nga qelia. Trupa gjykuese me në krye Erjon Çelën rrëzoi kërkesën e paraqitur nga avokati i saj për zëvendësimin e masës së sigurisë me një më të butë, duke konsideruar të pabazuara pretendimet për “humbjen e fuqisë së paraburgimit”.

Fetahu ndodhet në burg që nga nëntori i vitit 2024, pasi ndaj saj është lëshuar një urdhër-arrest nga SPAK, në kuadër të hetimeve për lidhjet e dyshuara me Suel Çelën dhe anëtarët e grupit të tij kriminal në Elbasan. Sipas dosjes hetimore, ajo dyshohet se ka favorizuar vendimet në dobi të grupit, ndërkohë që komunikimet e koduara të zbuluara nga rrjeti SKY ECC e ekspozuan si bashkëpunëtore të mundshme në sistemin e drejtësisë.

Nuk është hera e parë që emri i Fetahut përmendet në hetime të profilit të lartë; ajo rezulton e përfshirë edhe në operacionin e gjerë “Plumbi i Artë 2”, ku SPAK shpalli mbi 30 urdhër-arreste kundër krimit të organizuar. Prokuroria e Posaçme pretendon se gjyqtarja ka marrë një shumë prej 11 mijë eurosh, një monedhë floriri dhe ishte në pritje të një aparati celular si ryshfet nga grupi “Çopja”.

Njohur për kontaktet e saj të dyshimta me personazhe të botës së krimit, Fetahu mbetet në burgun e grave në Pogradec, ndërsa hetimet për bashkëpunimin e saj me krimin e organizuar vazhdojnë. GJKKO nuk dha asnjë sinjal për zbutje të masës në një të ardhme të afërt.-PAMFLETI