Gjobat e pa njoftuara po shqetësojnë drejtuesit e mjeteve, të cilët shpesh i zbulojnë ato me vonesë. Ekspertët thonë se mungesa e komunikimit nuk ndihmon në ndërgjegjësim dhe sjell penalitete të padrejta për qytetarët. Ata kërkojnë më shumë transparencë dhe njoftim të menjëhershëm për çdo shkelje që mund të kryejë një drejtues mjeti.
Mungesa e njoftimit për marrjen e një gjobe apo mungesa e fletëgjobës po kthehet në një shqetësim serioz për shumë drejtues mjetesh në vend.
Qytetarët ankohen se në shumë raste nuk informohen për masat administrative që u vendosen dhe e mësojnë ekzistencën e tyre vetëm kur ndalohen nga policia rrugore ose kur hyjnë rastësisht në platformën e-Albania.
Sipas eksperit të sigurisë rrugore fadil likaj kjo praktikë nuk është efektive dhe nuk ndikon në ndërgjegjësimin e drejtuesve të mjeteve.
Likaj thotë se në momentin kur kryhet një shkelje e kodit rrugor, drejtuesi duhet të ndalohet dhe të njoftohet menjëherë për gabimin, në mënyrë që të mos e përsërisë atë në të ardhmen.
Një tjetër shqetësim për Likaj mbetet fakti se jo të gjithë qytetarët e përdorin rregullisht platformën e-Albania, ku shpesh pasqyrohen këto masa administrative dhe kjo krijon një hendek informimi dhe rrit ndjesinë e padrejtësisë tek qytetarët.
Ekspertët sugjerojnë që autoritetet të forcojnë komunikimin me drejtuesit e mjeteve, duke rikthyer praktikën e njoftimit të drejtpërdrejtë dhe vendosjes së fletës së gjobës në automjet.
Sipas tyre, qëllimi kryesor duhet të jetë jo vetëm ndëshkimi, por edhe edukimi dhe rritja e sigurisë në rrugë.


