Të hënën, në aeroportin e Memmingen-it në Gjermani zbriti një grua me dy fëmijë nga Tirana. Problemi ishte se fëmijët duhej të ishin në shkollë – dhe jo në një avion
Nga Daniel Halder, Allgauer Zeitun
Pushimet në Bavari fillojnë vetëm javën e ardhshme, por policia në aeroportin e Memmingen-it ka kapur dy nxënës që kishin braktisur shkollën.
Të hënën e kaluar (26 maj 2025), me avionin e Ëizzair nga Tirana zbarkuan dy fëmijë, të cilët në fakt duhej të ishin në shkollë dhe jo në avion. Nëna e dy fëmijëve, të moshës 11 dhe 13 vjeç, i kishte justifikuar në mënyrë të pavërtetë mungesën në shkollë për ditën e kthimit në Memmingen, duke i raportuar si të sëmurë – gjë që policia e konstatoi si të pavërtetë.
Mashtrimi u zbulua gjatë kontrollit të hyrjes në aeroportin e Memmingen-it. Nëna 35-vjeçare tani duhet të përballet me një “gjobë të lajme”, njoftoi në përfundim Policia Kufitare e Aeroportit. Shkelja e detyrimit shkollor do të kalojë më pas për trajtim tek qarqet dhe bashkitë ku banojnë “mëkatarët”. Autoritetet përkatëse do të vendosin mbi shumën e gjobës.
Në Gjermaninë Jugore, gjobat për thyerjen e detyrimit shkollor mund të jenë mjaft të “kripura”, tha në prill Bernd Stapfner, zëvendësshefi i policisë kufitare në aeroportin e Memmingen-it. Prindërit duhet të llogarisin me gjoba nga 200 deri në 800 euro, ndërsa në raste të veçanta mund të arrijnë deri në 1000 euro.
Në vitin 2024, policia kufitare në aeroportin e Memmingen-it evidentoi gjithsej 109 raste të shkeljes së detyrimit shkollor. Këtë vit, një shifër e re shkaktoi vëmendje: plot 21 fëmijë dhe adoleshentë u kapën që në ditën e parë pas pushimeve të karnavaleve bavareze, ndonëse duhej të ishin kthyer në shkollë. Prindërit i kishin raportuar si të sëmurë.
Për më tepër, ekziston një numër relativisht i lartë rastesh që nuk zbulohen, sepse kontrollet e detyrueshme kryhen vetëm për udhëtime jashtë zonës Schengen, si p.sh. për në Gjeorgji apo Shqipëri. Ndërsa për fluturimet drejt vendeve evropiane si Italia apo Spanja, kontrollet bëhen vetëm në mënyrë të rastësishme.
© SYRI.net