Gjoni dhe nipi qëndruan 2 orë në hollin e Gjykatës, u futën në sallë 6 minuta para vendimit! Zbardhet DINAMIKA: Kalaja u qëllua disa herë, një plumb plagosi dhe babë e bir

0
2

Grupi hetimor ka zbardhur dinamikën e plotë të vrasjes që tronditi dje Tiranën dhe gjithë Shqipërinë, ku mbeti i vrarë gjyqtari i Apelit, magjistrati Astrit Kalaja. Ai sapo kishte dhënë vendimin për një pronë në Shkodër, kur u qëllua për vdekje nga një prej palëve në proces.

Elvis Shkambi, 30 vjeç, është arrestuar nga Policia si autor i ngjarjes, ndërkohë që xhaxhai i tij Gjon Shkambi është prangosur si bashkëpunëtor.

Në pranga, këtë të martë në përmbyllje të veprimeve hetimore, ra edhe Banush Koxhaj, me detyrë punonjës sigurie pranë Gjykatës së Apelit Tiranë. Ai nuk ka kryer kontrollin e Gjonit dhe nipit, pavarësisht se skaneri ka sinjalizuar për prezencë të metaleve (arma e zjarrit).

Dinamika e ngjarjes, sipas grupit hetimor të DVP Tiranë:

Në orën 13:42, në ambientet e sallës së pritjes për publikun të Gjykatës janë futur dhe kanë kaluar nga pajisja skaner (detektor), njëri pas tjetrit, shtetasit Elvis Shkambi dhe Gjon Shkambi.

Në ekranin e detektorit është sinjalizuar prezenca e metaleve duke ndezur dritat e kuqe, por shtetasi Banush Koxhaj, me detyrë punonjës sigurie pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, ka qëndruar i ulur në karrige dhe nuk ka kryer asnjë veprim për kontrollin fizik të këtyre shtetasve apo regjistrimin e tyre në librin e protokollit, ku duhet të evidentohen të gjithë personat që hyjnë dhe dalin nga ambientet e Gjykatës.

Të dy këta shtetas, Elvis Shkambi dhe Gjon Shkambi, qëndrojnë në hollin e pritjes së Gjykatës deri rreth orës 15:29, dhe më pas futen në ambientet e sallës së zhvillimit të seancës gjyqësore (salla nr.3).

Në orën 15:35, palët ngrihen në këmbë dhe, menjëherë pasi gjyqtari Astrit Kalaja shpall vendimin, shtetasi Elvis Shkambi, që ndodhej në sallë, nxjerr nga brezi një armë zjarri pistoletë dhe qëllon disa herë në drejtim të gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili, si pasojë e dëmtimeve të marra dhe pas ndihmës së parë mjekësore, ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital.