Gjumi i dobët mund ta plakë trurin më shpejt

0
2

Një studim i ri me mbi 27 000 të rritur në Britaninë e Madhe tregon se njerëzit me cilësi të dobët të gjumit kanë tru që duket më i vjetër se mosha e tyre reale, sipas “The Independent”.

Studiuesit përdorën më shumë se 1 000 tregues nga skanimet MRI dhe një model inteligjence artificiale për të vlerësuar “moshën e trurit”.

Rezultatet treguan se ata me zakone të dobëta gjumi kishin mesatarisht një vit plakje shtesë të trurit krahasuar me moshën kronologjike.

Studiuesit analizuan pesë faktorë të gjumit: kronotipin, kohëzgjatjen e gjumit, pagjumësinë, gërhitjen dhe përgjumjen gjatë ditës.

Duke i kombinuar këto në një “vlerësim të shëndetit të gjumit”, u zbulua se çdo ulje me një pikë në këtë vlerësim lidhej me rreth gjashtë muaj plakje shtesë të trurit.

Më problematikë rezultuan kronotipi i vonë dhe gjumi shumë i shkurtër ose shumë i gjatë.

Një tru që duket më i vjetër lidhet me rrezik më të lartë për rënie njohëse, demencë dhe sëmundje neurologjike.

Edhe pse një vit duket pak, ky ndryshim mund të grumbullohet me kalimin e kohës dhe të ndikojë dukshëm në shëndetin mendor dhe njohës të individit.

Një pjesë e lidhjes mes gjumit të dobët dhe plakjes së trurit mund të shpjegohet me inflamacionin.

Studimi gjeti se nivelet e larta të inflamacionit në gjak shpjegonin rreth 10% të efektit.

Inflamacioni mund të dëmtojë enët e gjakut, të rrisë grumbullimin e proteinave toksike dhe të përshpejtojë vdekjen e qelizave nervore.

Proceset e tjera përfshijnë dëmtimin e sistemit glinfatik , mekanizmi i pastrimit të mbetjeve në tru, i cili është më aktiv gjatë gjumit. Gjumi i dobët mund ta ngadalësojë këtë sistem, duke lejuar grumbullimin e substancave të dëmshme.

Për më tepër, gjumi i çrregullt lidhet me rrezik më të madh për diabet, obezitet dhe sëmundje të zemrës,të gjitha këto dëmtojnë trurin.

Mesazhi kryesor i studimit është i thjeshtë: zakonet e mira të gjumit janë të domosdoshme për shëndetin afatgjatë të trurit.

Ruajtja e një orari të rregullt gjumi, shmangia e ekraneve dhe kafeinës para gjumit dhe krijimi i një ambienti të qetë mund të ndihmojnë në ngadalësimin e plakjes së trurit dhe ruajtjen e funksioneve njohëse.