DEKLARATA E TRUPËS GJYQËSORE
TË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM ELBASAN
Trupa Gjyqësore e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan shpreh tronditjen e thellë për ngjarjen e rëndë që i mori jetën gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, z. Astrit Kalaja.
Kjo ngjarje është një këmbanë alarmi për situatën e sigurisë me të cilën përballen sot gjyqtarët dhe institucionet e drejtësisë në vend.
Mungesa e mbrojtjes së duhur, denigrimi i figurës së gjyqtarit dhe mungesa e respektit për autoritetin gjyqësor janë fenomene që cënojnë drejtpërdrejt jo vetëm individët që shërbejnë në këtë sistem, por edhe besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.
Trupat gjyqësore punojnë me përkushtim dhe përgjegjësi në një nga funksionet më të ndjeshme të shtetit të së drejtës.
Ato meritojnë mbështetje institucionale, respekt publik dhe, mbi të gjitha, një nivel sigurie që u mundëson të ushtrojnë detyrën e tyre pa frikë dhe nën kushte të përshtatshme për integritetin dhe pavarësinë e procesit gjyqësor. Shteti ka detyrimin të garantojë që jeta dhe puna e çdo gjyqtari të jetë e mbrojtur. Vetëm kështu drejtësia mund të përmbushë misionin e saj themelor në një shoqëri demokratike.
Trupa Gjyqësore e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes, kolegëve si dhe gjithë komunitetit të drejtësisë për këtë humbje të rëndë.
GJYKATA E SHKALLЁS SЁ PARЁ
E JURIDIKSIONIT TЁ PЁRGJITHSHЁM ELBASAN