Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka paralajmëruar temperatura ekstreme që arrijnë deri në 40 gradë për në ditët në vijim.
Përmes një njoftimi në rrjete sociale, AKMC bën me dije se me rritjen vlerat e larta të temperaturave, rritet ndjeshëm rreziku për zjarre në pyje dhe zona rurale.
Në njoftim, u bëhet thirrje qytetarëve që të shmangin orët me diell dhe të tregojnë kujdes me përdorimin e zjarrit në ambiente të hapura.
Postimi:
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, bazuar në parashikimet e IGJEO dhe ERCC paralajmëron se në ditët në vijim temperaturat do të arrijnë deri në 40°C, duke rritur ndjeshëm rrezikun për zjarre në pyje dhe zona rurale.
U bëhet thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore. Shmangni qëndrimin në diell gjatë orëve të nxehta dhe tregoni kujdes me përdorimin e zjarrit në ambiente të hapura.
Raportoni çdo zjarr apo tym në numrin 128 ose 112!
Respektimi i masave parandaluese shpëton jetë, pronë dhe natyrën! Bashkëpunimi juaj është jetik për një verë të sigurt.