Zjarret në Oregon të Shteteve të Bashkuara detyruan mbi gjysmë milion banorë të lënë shtëpitë ndërsa konfirmohen të paktën katër viktima. Zjarret nuk kanë qenë kurrë kaq shkatërrues dhe autoritetet i lidhën ato me efektet e prekshme të ndryshimit të klimës. Për shkak të tymit, ndotja në Portland arriti nivelin më të lartë botëror.
Mbi gjysmë milion njerëz në Oregon të Shteteve të Bashkuara po largohen nga shtëpitë për shkak të zjarreve vdekjeprurëse që kanë përfshirë Paqësorin Veriperëndimor, thanë autoritetet. Zjarret po nxiten nga era e fortë dhe thatësira e tejzgjatur.
“Këtu jemi në Coleman Creek Estates. Pas meje ndodhet shtëpia ime, që së bashku me shtëpitë e tjera është shkrumbuar nga zjarri. Çdo gjë u shkatërrua,” tregon i mbijetuari Julio Bryan Flores.
Guvernatorja e shtetit, Kate Brown, tha se numri i saktë i viktimave nuk dihet ende, ndonëse janë konfirmuar të paktën katër. Midis tyre edhe një djalë 12 vjeç dhe gjyshja e tij.
“Ne nuk kemi parë kurrë këtë intensitet zjarresh në shtet. Kjo nuk do të jetë një ngjarje e izoluar. Për fat të keq, është një kambanë alarmi për të ardhmen. Ne jemi duke ndjerë ndikimet më të forta të ndryshmit të klimës”, tha Brown.
Zjarret masive kanë nxitur ndërkaq evakuime në periferitë e Portland, qytetit më të madh të Oregonit. Sipas medieve vendore, ndotja e ajrit në qytet zuri vendin e parë në botë, duke arritur nivelin e Xhakartës, në Indonezi, Delhi në Indi apo Lahores në Pakistan.
Një nga zjarret më shkatërruese, në Almeda, i cili filloi në Ashland, pranë kufirit me Kaliforninë, po trajtohet nga policia si i dyshimtë. Mbi 100 vatra zjarresh janë tani aktive në 12 shtete perëndimore të ShBA-së.
Më të goditurat janë Oregoni, Kalifornia dhe Uashingtoni. Sipas Qendrës Kombëtare të Zjarrfikjes, rreth 4.4 milionë hektarë janë shkrumbuar, një sipërfaqe më e madhe se shteti i Konnecticutit.
Ora news