Një tjetër tender me objekt epik me vlerë mbi 1.1 Miliard Lekë u është dhënë oligarkëve nga Gledian Llatja i Bashkisë së Elbasanit këtë herë për ndërtim kalcetoje në fshatin Shushicë të Elbasanit. Goxha ide kreative kjo e kryebashkiakut të tenderave kontroversë për të dhuruar paratë publike.
Por ajo që ka ngritur më shumë dyshime është fakti që nga katër kompani pjesëmarrëse, në fund vetëm njëra mbeti në garë, bashkimi i kompanive “IMPULS 10 sh.p.k.” dhe “ASI-2A CO sh.p.k.”, të cilat u shpallën fituese. Tenderi është shpallur me Flamur të Kuq për Skualifikim të të gjithë operatorëve konkurrues dhe Skualifikim të ofertës më të ulët.
Tenderi i është dhënë oligarkut nga Peqini Adnand Dranga dhe Andrea e Astrit Gjikondajt. Të dyja kompanitë e oligarkëve janë të përfshira në afera klienteliste të tenderave publikë nga institucione të ndryshme lokale e shtetërore.
Të tre operatorët e tjerë, “ERGI sh.p.k.”, “BE-IS sh.p.k.” dhe “COLOMBO sh.p.k.” janë skualifikuar, secili për “mangësi dokumentacioni”, “formularë të pasaktë” apo “mungesë kontratash furnizimi”.
Në praktikë, kjo do të thotë se gara u mbyll me një fitues të paracaktuar de facto, pasi të gjithë të tjerët u nxorën jashtë loje.
Në ankesën e dorëzuar për tenderin, thuhet qartë se një nga operatorët kishte dorëzuar formular sigurimi për një tender tjetër në Shkodër, gjë që e bën ofertën e tij “të pavlefshme”.
Një tjetër kompani, “COLOMBO sh.p.k.”, nuk kishte dorëzuar asnjë dokument financiar apo teknik, por vetëm formularin e ofertës.
Tenderi u zhvillua më 23 shtator 2025, ndërsa njoftimi për fituesin u bë më 8 shtator, gjë që, sipas praktikave standarde të prokurimeve, ngre gjithashtu pikëpyetje mbi rendin kronologjik të procesit.
Financimi vjen nga buxheti i shtetit dhe ai i Bashkisë Elbasan, për periudhën 2025–2027.

Screenshot