
Finalizohet operacioni ndërkombëtar kundër krimeve kibernetike i koduar “Platforma”.
Operacioni në Shqipëri drejtuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale nën drejtimin e SPAK. Gjithashtu, me mbështetjen e Eurojust dhe Europol, operacioni u zhvillua në disa shtete si Gjermani, Shqipëri, Qipro dhe Izrael.
Nga ky operacion, në Tiranë janë sekuestruar mijëra euro e pajisje që shërbenin për kryerjen e krimeve kibernetike.
Gjatë aksionit u ushtruan kontrolle në tre ambiente të ndryshme, ku u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 aparate celularë, 1 laptop, 1 njësi kompjuterike, 1 USB, 1 hard disk i jashtëm, një shumë parash prej 40 020 eurosh.
Ekzekutimi i këtyre vendimeve është realizuar në kuadër të një letërporosie të lëshuar nga autoritetet gjermane, me mbështetjen e Europol, në kuadër të një hetimi ndërkombëtar për një grup të strukturuar kriminal të përfshirë në mashtrime përmes një platforme të rreme investimesh online.
Grupi kriminal dyshohet se ka mashtruar mbi 100 viktima me një dëm financiar prej mbi 3 milionë euro.
