Kërkesa e Prokurorisë së Tiranës për pushimin e çështjes së konfliktit të ndodhur në nëntor të vitit të kaluar mes Drejtorit të Agjencisë së Trajtimit të Kredive Eri Koshaj dhe Andri Ibrahimajt, bashkëshortit të ministres së Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit Delina Ibrahimaj, duket se lë shumë paqartësi mbi ngjarjen dhe dinamikën e saj
Përmbajtja e kërkesës, drejtuar Gjykatës, të cilën Zëri i Amerikës e disponon, tregon se Prokuroria është mjaftuar vetëm me dëshmitë e personave të përfshirë. Por pavarësisht deklarimeve kontradiktore të dy personave të përplasur me njeri tjetrin, prokuroria nuk ka ndërmarrë veprime të tjera.
Ngjarja, e cila doli në dritë fundjavën e shkuar, vetëm pas publikimit në media, u mbajt e mbuluar nga heshtja e institucioneve, ndonëse në të ishte përfshirë një zyrtar i lartë dhe bashkëshorti i një anëtareje të kabinetit qeveritar, e cila në detyrën e mëparshme e kishte patur zotin Koshaj në varësi direkte.
Drejtori i Agjencisë, Koshaj, i cili ka bërë kallëzimin në polici, ka rrëfyer se “më datë 20.11.2023, rreth orës 09:30, ka qenë duke ecur, kur nga një lokal ka dalë Andri Ibrahimaj, i cili fillimisht e ka kërcënuar dhe kanosur me fjalë ofenduese, i ka kërkuar të futeshin brenda në lokal dhe të sqaroheshin, por ai nuk ka pranuar. Aty janë afruar disa njerëz të tjerë për t’i ndarë, pasi ishin duke u shtyrë me njëri-tjetrin. Në këtë moment Ibrahimaj, ka nxjerrë nga xhepi një mjet prerës në dukje, dhe me të e ka goditur në drejtim të brinjëve, në krahun e majtë dhe në pjesën e fund shpinës. Ai tregon se dëmtime dhe dhimbje ndjen në pjesën e bërrylit të djathtë, kaviljes dhe në pjesën e fundshpinës dhe për shkak të goditjes i është çarë dhe xhupi”, shkruhet në aktet e Prokurorisë.
Dëmtimet që ai ka marrë janë vërtetuar dhe nga një akt i ekspertimit mjeko-ligjor sipas të cilit “janë konstatuar dërmishtje në pjesën e fundshpinës, me ngjyrë disi mavi, me përmasa 3 x 3 cm, të shkaktuara me mjet mbretës. Dëmtimet e mësipërme nuk kanë qenë të rrezikshme për jetën në momentin e shkaktimit dhe si të tilla hyjnë në kategorinë e atyre që kanë sjellë për pasojë humbjen e aftësisë për punë në masën deri 9 (nëntë) ditë.”
Një version të ndryshëm në prokurori ka ofruar nga ana e tij bashkëshorti i ministres. “Më datë 20.11.2023 ai tregon se ka qënë duke pirë një kafe te një lokal ngjitur me punën e tij. Rreth paradites së kësaj dite, rreth orës 10:00-11:00 telefonon Eri Koshaj duke e ofenduar në telefon dhe duke kërkuar se ku ndodhej, sepse donte ta takonte. Ai i ka thënë se është te puna, pranë pazarit të ri. Pas rreth 30 minutash sqaron se Koshaj ka ardhur i shoqëruar me një person tjetër, trupmadh të cilin nuk e njeh dhe ishte hera e parë që e shikonte. Ka dalë nga kafja, është drejtuar për tek ata, të cilët e prisnin në rrugë. Sa ka shkuar te ky person, ka filluar përsëri me ofendimet, duke e tërhequr dhe kërkuar “hajde dalim nga rruga” me ofendime nga familja me fjalë banale. Aty u konfliktuan të dy fizikisht, u goditën me njëri-tjetrin me grushta. Ai sqaron se gjatë kësaj kohe janë rrëzuar të dy përtokë dhe aty ky shtetas mund të jetë vrarë, a dëmtuar në pjesë të ndryshme të trupit, ku ka bërë kallëzim. Ai pretendon se edhe vetë kur është rrëzuar në tokë është vrarë nga këmbët dhe gjunjtë”, shkruhet në kërkesën e Prokurorisë për pushimin e çështjes.
Versioni i zotit Ibrahimaj, mbështetet dhe nga Eriklein Mance, kuzhinieri i lokalit të tij, me të cilin ai ka qenë duke pirë kafe “kur kanë ardhur dy persona për ta takuar. Njëri prej tyre e tërheq Andrin dhe fillojnë dhe shtyhen e konfliktohen duke u rrëzuar përtokë. Personi që ka filluar konfliktin ka sharë me fjalë banale edhe gjatë largimit. Ai sqaron se Andri nuk ka pasur mjet prerës thikë”.
Ndërsa zoti Ibrahimaj nuk ka dhënë ndonjë shpjegim mbi arsyet përse sipas tij, zoti Koshaj e kishte ofenduar dhe kishte kërkuar të sqarohej me të, vetë Drejtori i Agjencisë e lidh këtë me detyrën që ai mbulonte. Sipas Koshajt, bashkëshorti i ministres “e ka shqetësuar dhe më parë, ku i kërkonte të sqaroheshin përballë, pasi pretendon se për shkak të pozicionit të punës, Koshaj është bërë shkak për mosrinovimin e kontratës së punës të një shokut të tij, Olsi Mëneri. Shtetasi Koshaj ka deklaruar se nuk ka dijeni për këtë pjesë, pasi është pozicion që përzgjidhet nga një Këshill Mbikëqyrës. Për shkak të detyrës që ka ky shtetas ka deklaruar se shtetasi Andri Ibrahimaj i ka krijuar shqetësim dhe stres prej një viti e në vazhdim”, shkruhet në aktet e Prokurorisë.
Ajo që bie në sy është se përballë këtyre deklarimeve kontradiktore, Prokuroria, apo edhe Policia, të paktën sipas përmbajtjes së kërkesës drejtuar Gjykatës, nuk rezulton të kenë ndërmarrë veprime për të verifikuar versionet e ndryshme. As të jenë mbikqyrur kamerat në zonë, as të jenë verifikuar tabulatet telefonike për të parë nëse Koshaj kishte telefonuar apo jo Ibrahimajn, sipas variantit të këtij të fundit, apo për të vërtetuar pretendimin e Koshajt se bashkëshorti i ministres e shqetësonte prej një kohe të gjatë.
Të paqarta janë dhe afatet e gjatë kohore të procedurave të ndjekura, si nga policia ashtu dhe nga prokuroria. Policia, siç e pranoi dhe vetë, në një deklaratë zyrtare të premten, kur ngjarja u bë për herë të parë publike në media, ka bërë referimin në Prokurori, për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës” më 4 dhjetor, 13 ditë nga momenti i kallëzimit nga ana e zotit Koshaj. Ndërsa Prokuroria vetë ka rregjistruar procedimin penal, 24 ditë më vonë, më 28 dhjetor.
Njohës të fushës, e konsiderojnë këtë periudhë kohore tejet të gjatë, për më tepër kur bëhet fjalë për një referim të policisë dhe jo një denoncim rutinë. Aq më tepër, që në këtë periudhë, nuk rezulton, të paktën sipas asaj që është shpjeguar në kërkesën drejtuar Gjykatës, që kjo hapësirë kohore të jetë përdorur për të kryer ndonjë verifikim të nevojshëm për të vendosur rregjistrimin, ose jo të procedimit penal.
Pikëpyetje ngrihen dhe mbi faktin që zoti Ibrahimaj, i kallëzuar nga zoti Koshaj, është marrë në pyetje “në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale”, vetëm më 5 janar të këtij viti, gati një muaj e gjysëm pas ngjarjes. Pikëpyetjet shtohen dhe nga përplasja e deklaratave mes Prokurorisë dhe Policisë për momentin e marrjes në pyetje. Ndërsa Prokuroria në shkresën e saj zyrtare drejtuar Gjykatës jep datën 5 janar, policia dha një tjetër version, sipas të cilit duket se marrja e deklarimeve, ka ndodhur para se ajo të bënte referimin në Prokurori në fillim të dhjetorit. “Në vijim të veprimeve dhe në zbatim të detyrave të lëna nga prokurori i procedimit penal, i është marrë deklarim shtetasve A.I. (Andri Ibrahimaj), E. M. (Eriklein Mance) e O. M. (Olsi Mëneri) dhe materialet janë referuar në prokurori më datë 04.12.2023 për veprën penale “Goditjet për shkak të detyrës”, në ngarkim të shtetasit Andri Ibrahimaj”, shpjegonte të premten policia në deklaratën e saj. Sipas Prokurorisë, edhe dy personat e tjerë të përmendur në deklaratën e policisë, janë marrë në pyetje po në datën 5 Janar.
Prokuroria kërkon pushimin e çështjes për veprën “Goditje për shkak të detyrës”, pasi sipas saj Drejtori Koshaj “në momentin që ka ndodhur konflikti, nuk ka qenë në kryerje e sipër të detyrës së tij” dhe se “motivi i pretenduar nga ana kallëzuesit, se është goditur për shkak të detyrës, për arsye se shtetasi Olsi Mëneri, shok i Andri Ibrahimaj, ishte shkarkuar nga detyra në Institucionin që drejton Eri Koshaj, përveç deklarimeve të dhëna nga kallëzuesi nuk rezulton të jetë i mbështetur në prova të tjera”.
Në mbështetje të kësaj kërkese, Prokuroria sjell dhe bisedat në aplikacionin WhatsApp mes zotit Koshaj dhe mamasë së zotit Ibrahimaj, vjehrrës së ministres, Teuta Rino. Komunikimet e tyre me mesazhe janë ruajtur nga zoti Koshaj i cili i ka dorëzuar ato në Prokurori. “Nga leximi i përmbajtjes së tyre, rezulton se shtetase Teuta Rino bisedon me shtetasin Eri Koshaj në lidhje me këtë ngjarje, duke u shprehur e shqetësuar se përse kjo ngjarje kishte ndodhur dhe duke i kërkuar falje e këshilluar që të dy djemtë të mos grindeshin me njëri tjetrin, pasi ajo i konsideronte ata si dy vëllezër. Gjithashtu gjatë bisedave evidentohet fakti, se grindja kishte ndodhur për shkak se Eri Koshaj i kishte sharë bashkëshorten shtetasit Andri Ibrahimaj dhe se në grindje e sipër ky i fundit e kishte goditur me gozhdë”, shkruhet në aktet e Prokurorisë.
Por përmbajtja e këtyre komunikimeve jep një version të ndryshëm të njohjes mes dy të përfshirëve në konflikt. Ndërsa mamaja e zotit Ibrahimaj flet për një njohje të gjatë dhe familjare, në Prokurori, bashkëshorti i ministres “sqaron se me shtetasin Eri Koshaj njihen rastësisht dhe se nuk kanë ndonjë shoqëri, apo probleme me njëri-tjetrin”. Po ashtu, ndërsa zoti Ibrahimaj ka mohuar të ketë përdorur ndonjë mjet për të goditur Roshajn, mamaja e tij ka pohuar se i biri e ka goditur me gozhdë e jo me thikë.
Drejtori Koshaj ka dorëzuar dhe rregjistrimin e një bisede të bërë në nje mjedis publik mes tij dhe mamasë së zoti Ibrahimaj, për të cilën prokuroria thotë se nuk vërtetohet koha kur ka ndodhur. “Nga bisedat, dy personat flasin për një person të tretë, Olsi, ku duket se të dy e njohin shumë mirë dhe gruaja e këshillon Eri Koshajn që: “Olsin do ma mbash mirë””, lexohet në shkresën e Prokurorisë, ku nuk përcaktohet se për cilin person saktësisht bëhet fjalë, por koincidenca duket e fortë me emrin e Olsi Mënerit, për të cilin sipas zotit Koshaj, kishte ndërhyrë dhe bashkëshorti i ministres.
Vetë Mëneri, në deklarimin e tij “sqaron se e njeh shtetasin Andri Ibrahimaj që nga fëmijëria, por nuk ka ndonjë miqësi të ngushtë me të sa t’i kërkojë të ndërhyjë për rinovim kontrate te Drejtori i tij Eri Koshaj pasi nuk është kompetencë e këtij të fundit. ”
Ministrja Ibrahimaj, të premten, reagoi pas publikimit të lajmit duke u shprehur se “bashkëshorti im ka qenë padrejtësisht i kallëzuar për dicka që nuk e ka bërë” dhe se “konflikti ka ndodhur pranë vendit të punës së bashkëshortit tim, jo në zyrat e shtetit dhe pasi është hetuar nga organet e drejtësisë në bazë të kallëzimit të bërë nga pala tjetër është pushuar për mungesë provash”.
Në fakt çështja nuk është pushuar, por ka vetëm një kërkesë të Prokurorisë drejtuar Gjykatës, për një akt të tillë. Do të jetë Gjykata ajo që do të thotë fjalën e fundit, ose duke e kthyer pas për plotësim hetimesh, ose duke e pushuar, gjë e cila i lë të drejtën zotit Koshaj, të bëjë dhe ankim, nëse dëshiron të mbrojë pretendimet e tij./ VOA