Godoleshi prodhon qershi autoktone, fitime të kënaqshme për fermerët në Elbasan

0
2

Në fshatin Godolesh, i njohur si “fshati i qershive”, fermerët janë në kulmin e vjeljes së prodhimit.

Me një rendiment prej rreth 700 tonë qershi në vit, ky fshat ka shënuar një sezon të suksesshëm falë kërkesës së lartë dhe çmimeve që nuk kanë rënë në treg.

Xhevahir Ademi, një prej fermerëve të përkushtuar të zonës, e ka trashëguar këtë pasuri nga babai i tij. Dikur e pa të paleverdishme dhe emigroi në Greqi, por pikërisht këshilla e një pronari grek e bëri të rikthehej dhe të investonte në tokën e tij.

Kam mbi 15 vite që merrem me qershi. Kjo është qershi autoktone e Godoleshit. Vetëm kjo zonë e bën këtë lloj qershie, asnjë vend tjetër. Ka dëmtuar moti, koha e keqe. Vetëm Godoleshi ka në gjithë Shqipërinë. Çmimi na favorizon jashtë mase,” thotë z. Ademi.

Këtë vit, prodhimi në zona të tjera, si Dibra, Korça dhe Berati ka qenë i ulët për shkak të kushteve të pafavorshme klimatike. Ndërsa në Godolesh, cilësia e qershisë dhe mungesa në treg kanë bërë që çmimi të arrijë deri në 500 lekë për kilogram.