Grabitësit kapen në oborr gati për vjedhje! Ishin të maskuar dhe të armatosur, arrestohen nga policia

0
569

Një grabitje si nëpër filma është parandaluar në fshatin Bubullimë të Lushnjës.

Dy persona të armatosur dhe të maskuar kanë tentuar të grabisin një banesë, por plani i tyre ka dështuar pasi janë kapur në oborr nga policia.

Ishin banorët e fshatit Bubullimë ata që kishin parë dy personat e maskuar që po lëviznin drejt banesës për ta grabitur ndërsa ngjarja që mund të kishte rezultuar me pasoja për jetën e pronarëve të banesës, pasi njëri nga autorët e ishte i pajisur me pistoletë.

Dy të rinjtë Gentian Bajrami, 22 vjeç dhe Ramazan Troka  29 vjeç, u kapën flagrancë në oborrin e banesës ku donin të vidhnin, pa hyrë ende në brendësi të saj, të dy banues në Radostinë, Fier.

Gjithashtu, u kap dhe u arrestua Volter Alushaj, 30 vjeç, banues në Radostinë, Fier, pasi dyshohet se ka sjellë dy grabitësit, në vendngjarje, me automjet, dhe po i priste ata në vendin e quajtur “Rotondoja e Kolonjës”, për t’i marrë sërish, pas grabitjes

Në cilësinë e provës materiale, dy grabitësve iu gjetën dhe iu sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë me 1 krehër me municion luftarak, 2 maska, doreza plastike dhe 10 lidhëse plastike të lidhura në formë prangash.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vjedhje me armë”, mbetur në tentativë dhe kryer në bashkëpunim, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

 

Top Channel