Policia ofron 5 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacion në lidhje me autorin e grabtijes së ndodhur mëngjesin e sotëm, në një biznes të transfertave të parave në zonën e Astirit në Tiranë.
Siç shihet dhe nga pamjet e kamerave të sigurisë, autori është një djalë rreth të 30tave i cili hyn në biznes me një maskë anti covid dhe iu drejton armën dy punonjësve.
Në video shihet se dera ka qenë e hapur, dhe ai e ka pasur të lehtë që të hyjë në pjesën ku mbahen paratë dhe të marrë prej aty një shumë prej afro 30-40 mijë eurosh, nga sa është raportuar deri tani.
Policia garanton anonimat të plotë për të gjithë qytetarët që do të ofrojnë informacion për grabitësin, i cili kujtojmë se u largua nga vendngjarja me një biçikletë.
“Në funksion të hetimeve për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mëngjesin e sotëm, ku një shtetas është futur në një pikë për transferta parash dhe këmbimi valutor në Unazë të Re, dhe nën kërcënimin e një arme zjarri ka marrë një shumë parash dhe është larguar me biçikletë, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vë në dispozicion pamjet filmike të ngjarjes.
DVP Tiranë fton qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 5000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorit.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë vendos në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 0694110415, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi”, njofton Policia.