Një person, punëtori i një kompanie sigurimi, ka mbetur i plagosur rëndë në një grabitje që ndodhi sot në hapësirat e jashtme të një qendre tregtare në Prishtinë.
Sipas mediave në Kosovë, raportohet se katër të dyshuarit u larguan me automjetin e tyre në drejtim të Hajvalisë.
Drejtori i Emergjencës në QKUK, Naser Syla, konfirmoi se i plagosuri është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe aktualisht ndodhet në sallën e operacionit.
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, tha se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur gjatë një grabitjeje ndaj një fugoni që transportonte para.
Hetuesit policorë, në bashkëpunim me Prokurorinë, po ndërmarrin masa për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.