Grabitje në Muzeun e Luvrit/ Vidhen bizhuteri të rralla nga koleksioni i Napoleonit

0
2

Muzeu i famshëm i Luvrit në Paris është mbyllur për publikun pas një grabitjeje të ndodhur mëngjesin e së dielës, 19 tetor, ngjarje të cilën e ka konfirmuar vetë ministrja franceze e Kulturës, Rachida Dati.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetin social X, muzeu njoftoi mbylljen për “arsye të jashtëzakonshme”, pa ndarë detaje. Pak më vonë, ministrja Dati konfirmoi se bëhej fjalë për një grabitje, duke shtuar se fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar. Ajo ndodhej në vendngjarje, së bashku me autoritetet policore dhe përfaqësues të muzeut.

Sipas të përditshmes franceze Le Parisien, grabitësit, të maskuar dhe të pajisur për të shmangur sistemet e sigurisë, kanë hyrë në ndërtesë nga ana e lumit Senë, në një zonë ku aktualisht po kryhen punime ndërtimi. Hetimet paraprake tregojnë se dy prej tyre kanë thyer dritaret dhe janë drejtuar për në Galerinë Apollo, ku kanë arritur të marrin nëntë bizhuteri të çmuara nga koleksioni i Napoleonit dhe Perandoreshës.