Situata në Gramsh po përshkallëzohet drejt një emergjence të rëndë humanitare dhe mjedisore, ndërsa zjarret që kanë përfshirë disa fshatra të njësive administrative vijojnë të përhapen me shpejtësi, duke lënë pas dëme të mëdha dhe banorë të lënduar.
Në fshatin Skënderbegas, një ndër zonat më të goditura, është dhënë urdhri për evakuim të plotë, pasi flakët janë afruar rrezikshëm pranë banesave. Megjithatë, situata bëhet edhe më dramatike nga refuzimi i disa banorëve për t’u larguar, të cilët mes lotëve po përpiqen të shpëtojnë ç’të munden nga shtëpitë që po digjen. “Nuk ikim, këtu kemi jetën tonë,” dëgjohen të thonë, të pushtuar nga dëshpërimi.
Zjarret kanë lënë banorë të lënduar, ndërsa forcat zjarrfikëse nuk kanë arritur të hyjnë në zonat kritike për shkak të tymërave të dendur dhe flakëve gjigande, që e kanë bërë të pamundur ndërhyrjen nga toka.
Autoritetet janë në alarm të plotë dhe kanë kërkuar mbështetje shtesë nga ajri, ndërsa Forcat e Armatosura dhe Mbrojtja Civile janë angazhuar me gjithë kapacitetet për të përballuar këtë situatë dramatike.
Gjendja është kritike edhe në fshatrat përreth, ku çdo minutë ka rëndësi për të shpëtuar jetë, shtëpi dhe tokë. Ndërkohë, thirrjet për ndihmë nga banorët në media sociale dhe komunikime me autoritetet po shtohen nga ora në orë.