Një grup grash shqiptare të radikalizuara janë kthyer në një problem serioz për kthimin e grave dhe fëmijëve jetimë në atdhe, të bllokuar prej një viti e gjysmë në kampin Al-Hol të Sirisë.
Gazetari Taulant Kopliku në një intervistë për Ora News thotë se një prej tyre është e veja e xhihadisti Almir Daci nga Leshnica e Pogradecit, i cili është shpallur i vdekur në Siri në prill të 2016.
Kopliku: Një nga gratë është bashkëshortja e xhihadistit që është deklaruar i vrarë, Almir Daci. Është nga 4-5 personat që kanë bërë një video, e cila bëri xhiron e mediave, video kërcënuese katër vite më parë.
Ajo edhe në kontaktin që ka pasur me kolegun Jul Kasapi ka shprehur qëndrimin radikal dhe nuk shfaq asnjë shenjë pendese. Qëndrimi i grave dhe vajzave pranë saj përbën edhe njëfarë rreziku për to.Mendoj unë. Si ajo ka edhe të tjera. Por për të janë publikuar disa mesazhe.
Ky grup grash dyshohet të kenë pasur gisht dhe në refuzimin në momentet e fundit të Eva Dumanit për tu kthyer në shtëpi me të vëllanë.
Ndërsa bëheshin gati për tu larguar, ajo bashkë me gratë u arratisën. Ndërkohë dje Eva Dumani është identifikuar nga autoritetet e kampit Al-Hol dhe po mbahet në vëzhgim.
Nisur nga të tilla rrethana, gazetari shtron nevojën e rikthimit të pjesës së mbetur të fëmijëve dhe grave një orë e më parë.
Kopliku: Këta fëmijë kanë kaluar një vit e gjysmë në këtë kamp. Më përpara kanë kaluar edhe 3-4 vite nën mbikqyrjen e personave që ishin të lidhur me ISIS, apo trajnuesit e tyre në Shtetin Islamik. Duhet që këta fëmijë janë trajnuar, kanë bërë një shkollë shumë radikale për tu përgatitur për tu bërë më pas luftëtarë të ISIS. Kanë një të kaluar që asnjë fëmijë nuk do të donte ta kishte, as një prind nuk do të donte të kishte për fëmijën e tij.
Çdo muaj që kalon në atë kamp për ata fëmijë që rriten me atë frymë është një minus si për ta dhe shoqërinë tonë që nuk po arrin ti sjellë në shtëpinë e tyre këta fëmijë. Një fëmijë që bëhet 13-14 vjeç me atë ideologji është shumë e vështirë për t’ia hequr atë ideologji sesa një fëmije 5, 6, 8 apo 10 vjeç. Duhet të tërhiqen sa më shpejt dhe të punohet mjaft me ta. Ardhja e tyre pastaj është një proces tjetër, de-radikalizimi, reabilitimi në shoqëri etj, janë hapa që do të duan shumë kohë.
Almir Daci i njohur me emrin Ebu Belkisa ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar me akuzën e terrorizmit si pjesëtar i ISIS.
Ai ishte bashkuar me Shtetin Islamik për më shumë se dy vite para se të shpallej i vrarë.
Almir Daci ishte bashkuar prej më shumë se dy vitesh me Shtetin Islamik, kohë kur edhe u larguar në Siri bashkë me familjen e tij, bashkëshorten dhe dy fëmijët e vegjël, që me vdekjen e tij kanë mbetur të vetëm atje.