Greqia përfshihet nga stuhi të forta, përmbytje në Selanik

0
2

Stuhi të fuqishme kanë goditur Greqinë veriore, duke shkaktuar përmbytje dhe kaos në rrugët e Selanikut. Për Athinën pasditen e sotme parashikohet shi dhe mundësi për breshër, çka shënon fundin e valës së gjatë të të nxehtit.

Ndryshimi dramatik i motit shkaktoi kaos në Selanik të enjten, kur stuhitë e fuqishme përmbytën rrugët dhe çrregulluan jetën e përditshme në qytetin e dytë më të madh të Greqisë.

Reshjet e dendura e kthyen infrastrukturën kryesore rrugore në lumenj, ndërsa raportet lokale thonë se kapakët e pusetave u shpërthyen nga presioni i ujit.

Një motoçiklist u lëndua pasi humbi kontrollin në një rrugë të rrëshqitshme në qendër të qytetit, konkretisht në bulevardin e njohur Tsimiski. Në lagjen Vardar, drejtuesit e automjeteve patën vështirësi në lëvizje pasi niveli i ujit i bëri rrugët të pakalueshme.

 

Stuhia është pjesë e një paqëndrueshmërie më të gjerë atmosferike që ka përfshirë Greqinë veriore dhe qendrore, duke i dhënë përkohësisht fund valës së gjatë të të nxehtit.

Sipas të dhënave të shërbimit kombëtar meteorologjik, moti i paqëndrueshëm do të vazhdojë deri të premten, duke sjellë reshje të forta shiu, breshër dhe erëra të fuqishme në disa rajone.

Reshje të mëdha janë regjistruar në Maqedoninë Qendrore dhe Lindore, përfshirë Selanikun, Halkidikin dhe Kilkisin, në Maqedoninë Perëndimore dhe zonat malore të Epirit, Thesalisë (veçanërisht në Karditsa dhe Trikala), ishujt Sporade dhe disa pjesë të Thrakës. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve për kujdes, veçanërisht në zonat ku priten vetëtima dhe breshër.