Gripi i shpendëve, po përgatitet vendi për groposjen e pulave të ngordhura

0
126

Mbi 300 mijë pula kanë ngordhur gjatë këtij muaji si pasojë e Laringo Tracheite apo gripi të shpendëve.

“Deri në datën 19 kemi pasur Laringo Tracheite në bazë të analizave të ISUV ka tjetër procedurë dhe në datën 19 është procedura e Influencës Aviare.”

Viruset kanë prekur dy stabilimente në Durrës, por përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë thonë se nuk ka vend për panik.

“Ky virus është zonotik, e prek njeriun. Por deri tani nuk ka asnjë rast të konfirmuar në botë se vjen nëpërmjet konsumit të produkteve me origjinë nga shpendët.”

Këshillohet që vezët apo pulat të mos blihen në tregje të hapura dhe të gatuhen në temperaturë mbi 70 gradë.

“Produktet dhe nënproduktet e shpendëve nuk shkaktojnë problematika në shëndetin e njerëzve, mjafton të merren masat e duhura ashtu sikurse është gatimi i produkteve dhe nënprodukteve në 70 gradë.”

Stabilimentet janë vënë në karantinë ndërsa po monitorohen edhe fermat pranë tyre.

“Përsa i përket zonës së karantinës prodhimi vezë është i izoluar.”

Por edhe pse përfaqësues të qeverisë thonë se situata është nën kontroll, shpendët e ngordhur nuk janë groposur ende, duke rritur rrezikun e përhapjes së virusit.

“Kemi një javë që përpiqemi të stabilizojmë një vend ku do groposen shpendët e ngordhur.”

Kjo nuk është hera e parë që Shqipëria preket nga gripi i shpendëve.

Vatra janë konstatuar edhe më herët në vitin 2006 dhe në vitin 2021.

“E veçanta e këtij rasti është që ky shpërthim ka ndodhur në stabilimentet e nivelit të lartë sa i përket bio-sigurisë, të cilët kanë një cikël të mbyllur prodhimi.”

Edhe pse Ministria e Bujqësisë thotë se nuk ka vend për shqetësim, Shoqata e Mbrojtjes së Konsumatorëve akuzon institucionet në varësi të Ministrisë se kanë shkelur ligjin dhe kanë rrezikuar sigurinë ushqimore.