Gropa karstike hapet pranë banesave në Belsh, banorët ndihen të rrezikuar: Prej një jave askush s’po ndërhyn

0
2

Që prej datës 29 nëntor, pranë zonës së spitalit në Belsh është hapur një gropë karstike e rrezikshme, e cila ndodhet në oborrin e një banese dhe shumë pranë disa banesave të tjera. Megjithë rrezikun e madh që paraqet, Emergencat Civile deri më tani nuk kanë marrë asnjë masë konkrete përveç vendosjes së një shiriti rrethues.Kryefamiljari Behar Cani shprehet se ai dhe familja e tij janë prej më shumë se një jave në ankth të vazhdueshëm.

Sipas tij, situata po bëhet çdo ditë më alarmante, pasi diametri dhe thellësia e gropës vijojnë të zmadhohen, duke iu afruar rrezikshëm banesës.Aktualisht, gropa ka arritur një thellësi rreth 10 metrash dhe një gjerësi prej afro 7 metrash, duke vënë në rrezik jo vetëm shtëpinë e tij, por edhe pesë banesa të tjera përreth.

Cani shprehet se frika është e madhe, pasi fëmijët e zonës mund t’i afrohen gropës në çdo moment, ndërkohë që ndërhyrja duhej të ishte bërë qysh prej ditës së parë.

Ai thekson se mbushja e gropës është e pamundur për ta si familje, për shkak të terrenit të vështirë dhe mungesës së mjeteve të duhura.

Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet, përpara se situata të marrë përmasa të pakontrollueshme dhe të shkaktojë dëme të pariparueshme.

© SYRI.net