“Gruaja nuk e di, po e mbajmë me ilaçe”/ Djali iu vra në Itali, i ati me lot në sy: Ishte engjëll!

0
195

Babai i 23-vjeçarit Klajdi Bitri që u vra dy ditë më parë në Itali në përpjekje për të shpëtuar mikun e tij italian kërkon ndihmë për të sjellë trupin e të birit në vendlindje.

23-vjeçari nga Lushnja u vra nga një algjerian me një shtizë peshkimi, teksa ndërhyri për të shuar një sherr mes autorit dhe mikut të tij italian.

Agim Bitri ka thënë për mediat se familja nuk ka mundësi financiare për të sjellë trupin në Shqipëri

 

Sot Agimi ka aplikuar për pasaportë, por i duhet edhe ndihma financiare. Ai ka bërë apel me lot në sy duke kërkuar dhe drejtësi për të birin që ishte i pafajshëm. Babai i të riut tregoi se bashkëshortja e tij, nuk e di që djali ka vdekur dhe e mbajnë me ilaçe. Ndërsa situatë e vështirë është dhe për djalin tjetër, 18-vjeçar, në duart e të cilit humbi jetën vëllai i madh.

 

“Mua më ndodhi një fatkeqësi shumë e madhe që nuk ia uroj askujt, as hasmit! Djalit tim i ndodhi një fatkeqësi shumë e madhe që vajti për të ndarë një çift që po ziheshin, ndërhyri për humanizëm dhe ma qëlluan se me çfarë as vetë nuk e di. Pa ndonjë faj. Gjithë autoritetet atje thanë që është i pafajshëm. Nuk ka asnjë lloj faji se unë fëmijët i kam rritur me edukatë. Ka 6 vjet që punon në Itali me djersën e ballit në Itali. Jemi njerëz të thjeshtë, jam qytetar i Lushnjës, ka punuar me forcat e mia. Kërkoj drejtësi për fëmijën tim pse i ka ndodhur kjo. Ishte në lulen e rinisë, 23 vjeç, nuk shijoi dot një jetë, që të krijonte diçka. Më mirë të më kishte ndodhur mua. Kërkoj ndihmë, të vijë trupi sa më shpejt. Gruaja nuk e di ende, po e mbajmë në spital, por e mbajmë me gajret. Nuk e di që fëmija im ka vdekur dhe kur qajmë, qajmë mbyturazi. Më thotë më çoni në Itali që të ngre çunin në këmbë se unë i kam thënë që është në gjendje të rëndë. Unë jam nënë thotë, pse më mbani në krevat dhe jam në një dilemë. Në shtëpi nuk qaj dot. Shteti të më ndihmojë sa të mundet të sjell trupin këtu. Kërkoj drejtësi! Ai është një engjëll. I kërkoj ndihmë shtetit. I kërkoj kryeministrit, i kërkoj kush mundet. Unë jam punëtor që punoj me ditë, ushqejmë kokën. Po nuk po i qajmë asaj. Do punoj, bukë e kripë do ha, por kërkoj drejtësi për djalin. Djalin tjetër e kam atje, 18 vjeç, e ka parë skenën live. Ai po përballet nëpër komisariate, është i vetëm. Unë nuk kam mundësi. Kërkoj ndihmë. Jam për të vrarë veten tani, jetoj për gruan dhe djalin atje. Ai është 18 vjeç po përballet i vetëm, çfarë t’i kërkoj unë atij”, deklaroi babai për gazetarët.