Grupi Parlamentar i PD-së bojkoton mbledhjet e Komisioneve? Cilat janë opsionet e demokratëve “në tavolinë” për vijimin e jetës parlamentare

0
43

Komisioni për Çështjet Europiane ka nisur mbledhjen e radhës paraditen e sotme ku kryetarja Jorida Tabaku dhe anëtari Edi Paloka mbajtën në fillim fjalën secili duke iu referuar vendimit të gjykatës së Apelit për deputetin Ervin Salianji. Ndërkohë në mbledhjet e tjera të Komisioneve Parlamentare, deputetët e PD-së mësohet se nuk do të jenë prezent.

Gjatë mesditës deputetët e PD-së do të zhvillojnë një tjetër mbledhje ku pritet të përcaktojnë strategjinë që do të ndjekin në raport me Kuvendin, duke nisur nga seanca e sotme, e cila mbahet në orën 17:00 dhe ku pritet të njoftohet zyrtarisht ndërprerja e mandatit të deputetit për Ervin Salianjin.

Në tryezën e opsioneve të demokratëve janë disa variante që mund të ndiqen duke nisur që nga ngujimi afatgjatë i ligjvënësve demokratë te protestat brenda sallës së Kuvendit me synim paralizimin e funksionimit normal. Ditën e djeshme Këshilli Kombëtar i PD-së miratoi edhe qëndrimin e saj, ku thuhet se rendi kushtetues ka rënë dhe balanca mes pushteteve është asgjësuar.

DEKLARATA E KËSHILLIT KOMBËTAR TË PD-së:

Maxhoranca në Parlament refuzon me votë të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese për dorëzimin e bashkëpunëtorëve të tij përpara drejtësisë. Lideri i opozitës dhe Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha mbahet në arrest shtëpie antikushtetues prej gati një viti përmes një dosje të fabrikuar nga PS, pa fakte, pa dëshmitarë, duke e penguar me forcë dhe pa ligj aktivitetin e tij politik.

Eurodeputeti Fredi Beleri u zgjodh duke qenë në burg, pasi u arrestua dy ditë para zgjedhjeve, pas një fushate publike deniguese nga kryeministri dhe pas një fitorje të pritshme të tij si kryebashkiak. Ndaj tij nuk u paraqit asnjë provë dhe nuk u lejua të betohej pas fitores së zgjedhjeve, sepse kryeministri e sheh Jugun e Shqipërisë si një pronë private për t’u pasururar përmes korrupsionit.

Këtë javë, nënkryetari i Grupit Parlamentar të PD, deputeti Ervin Salianji, u burgos në një proces gjyqësor politik, sepse denoncoi lidhjet e trafikantëve të drogës me qeverinë shqiptare, përkatësisht të vëllait të ministrit të brendshëm. Burgosja e një deputeti pa ligj dhe prova është mesazh politik për heshtjen e opozitës, asgjesimin e saj dhe ekzekutimin e lirisë së shprehjes.

Për këtë arsye, Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike:

Ditën e hënë, datë 7 Tetor 2024, ora 18:00, fton qytetarët shqiptarë të bëhemi të gjithë bashkë në Tiranë, për të reaguar kundër padrejtësive me autor të vetëm Edi Ramën. Mospajtimi me padrejtësinë është mision i çdo qytetari të ndershëm shqiptar. Mospajtimi me të keqen fillon nga Kryeministria dhe shtrihet atë ditë në të gjithë rrugët e Tiranës.