Gurë, molotov e gaz lotësjellës! Policë dhe qytetarë të plaggosur, mbyllet pas 3 orësh protesta e PD, Berisha: Beteja vazhdon

0
2

Përplasje, gurë, molotov, gaz lotsjellës dhe ujë: Kjo ishte protesta e sotme kombëtare e PD-së

Protesta kombëtare e Partisë Demokratike, e cila zgjati rreth 3 orë, u shoqërua me përplasje, hedhje gurësh, molotov, përdorim gaz lotsjellës dhe autobote uji.

Ajo nisi rreth orës 17:00 në mënyrë paqësore, ku qytetarët qëndronin para Kryeministrisë me pankarta në duar, ndërsa folësit e zgjedhur nga PD nisën fjalimet e tyre.

I pari që u ngjit në podium ishte nënkryetari i PD-së, Luçiano Boçi, i cili e cilësoi protestën historike dhe bëri thirrje që qytetarët e bashkuar të rrëzojnë gardhet dhe blindat e vendosura në Kryeministri.

Pas atyre blindave që duhet t’i shembim në çdo kusht, nuk është shteti, është frika e pushtetit. Ne duhet ta shembim këtë pushtet. Ky vend është vendi i hajnisë dhe i qeverisë, dhe shembja e tyre është para historisë, është detyrë para vendit, para gjithë qytetarëve dhe para gjithë shqiptarëve. Prandaj jemi sot këtu me një numër kaq të madh protestuesish, për të shprehur këtë revoltë”, tha Boçi.

Pas tij folën të tjerë përfaqësues të PD-së, ndërsa në fund fjalën e mori lideri i partisë, Sali Berisha. Ai tha se shqiptarët dhe demokratët kanë arritur në kilometrin e fundit dhe se me mbështetjen e Zotit fitorja është e sigurtë.

Këtë javë, të tmerruara nga protestat tona të kaluara, mediat e qeverisë bënë gjithçka për t’i vendosur ato në harresë. Mesazhi im është ky: sot ne jemi në kilometrin e fundit. Me ndihmën e Zotit asgjë nuk do të na ndalë drejt fitores sonë. Sot ne jemi pranë triumfit të madh”, tha Berisha.

Menjëherë pas fjalimit të Berishës, protestuesit lëshuan molotov dhe fishekzjarre drejt policisë, ku një efektiv mbeti i plagosur (në total janë 11 policë të lënduar), ndërsa uniformat blu u përgjigjën me gaz lotsjellës. Vetë kryedemokrati Berisha ndoqi gjithçka nga podiumi.