Greqia është e vendosur të promovojë bashkëpunimin e saj me Shqipërinë në fusha të ndryshme me interes të përbashkët dhe të zgjidhë çështjet e pazgjidhura në bazë të së drejtës ndërkombëtare, theksoi ministri i Jashtëm, Nikos Dendias , në mesazhin e tij të urimit për përvjetorin kombëtar të Shqipërisë.
“Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë Shqipërinë në çdo mënyrë të mundshme për të bërë progres të shpejtë në rrugën drejt anëtarësimit të saj”, shtoi ai, ndërsa përgëzoi vendin fqinj për progresin e rëndësishëm që ka bërë në 2022 në perspektivën e tij europiane
Zoti Dendias kujtoi se do të presë homologun e tij shqiptar në Athinë të premten e ardhshme, ndërsa do të shoqërojë kryeministrin në vizitën e tij në Shqipëri më 6 dhjetor, vizitë kjo që do të zhvillohet me rastin e Samitit të parë BE-Ballkani Perëndimor që do të zhvillohet në një vend kandidat të rajonit.
“Populli grek dhe shqiptar janë të lidhur me lidhje tradicionale miqësie. Greqia dhe Shqipëria ndajnë shumë më tepër se kufijtë e tyre të përbashkët. Ata ndajnë një histori të gjatë ndërveprimesh dhe shkëmbimesh”, nënvizoi z. Dendias. “Skënderbeu është një hero kombëtar në të dy vendet tona. Të dy vendet kanë vuajtur nga fashizmi gjatë Luftës së Dytë Botërore”, theksoi ai.
Ata janë të lidhur edhe falë pranisë së minoritetit etnik grek në Shqipëri, si dhe numrit të madh të shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Greqi”, shtoi ai.
“Duke ndërtuar mbi këtë themel unik, marrëdhëniet tona lulëzuan për përfitim reciprok”, përfundoi ministri i Jashtëm grek, i cili pret, siç tha, vazhdimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.