Gjithçka gati për “Hakimi Day”. Një ngjarje që në rrethana të tjera do të karakterizohej nga një turmë tifozësh dhe entuziasmi i madh i njerëzve të Interit, siç e meriton një goditje kaq e rëndësishme në merkato. Por, përkundrazi, nuk është koha për përqafime apo shtrëngime duarsh. Duke ruajtur distancën dhe me masat e tjera higjeno-sanitare prej Covid-19, Ashraf Hakimi do të përjetojë ditën e tij të parë në Milano. Mbërritja e pritshme në mëngjes, me një fluturim privat nga Madridi.
Pastaj procedura e zakonshme e vizitave mjekësore, me hapin e parë të planifikuar te “Humanitas” dhe të dytin te “Coni”. Sapo të mbyllen vizitat mjekësore, Hakimi do të arrijë në selinë e klubit zikaltër, në “Viale della Liberazione”, për të nënshkruar kontratën e re 5-vjeçare, me pagë 5 milionë euro (neto) në sezon. Siç dihet, 40 milionë euro, plus 5 milionë të tjera bonuse, do të shkojnë në arkat e Real Madridit. Një shumë që klubi i bardhë do të jetë në gjendje ta përfshijë në bilancin e tij aktual, i cili skadon sot. Hakimi, 21 vjeç, ishte një nga zbulimet e sezonit, me katër gola në Ligën e Kampionëve, dy prej të cilëve kundër Interit, në kthimin e përplasjes direkte në Dortmund, që mbylli rrugën e mëtejshme të zikaltërve në këtë kompeticion.Shpejtësia dhe fuqia fizike shkojnë mirë me projektin “tërbim dhe cilësi”, që i ka shoqëruar gjithmonë ekipet e Contes. Ai ka arritur majat, deri në shpejtësinë 36.2 kilometra në orë, ndaj konsiderohet lojtar shpërthyes dhe “i tërbuar”. Ndërsa për cilësinë duhet të shkosh vetëm sezonin e tij të fundit në Bundesligë. Kjo është arsyeja pse ardhja e tij në Milano meritonte një pritje tjetër, të zhurmshme dhe të bujshme. Achraf është një lojtar që i jep ekuilibër skuadrës, garanci për të ardhmen./ telesport