Hapet nesër një segment alternativ qarkullimi në aksin Librazhd-Prrenjas

0
19

Pas disa ditësh bllokimi dhe ndërhyrjesh në terren, një rrugë alternative në zonën e “Arrave të Gurrës” në Librazhd pritet të hapet për qarkullimin e automjeteve nesër, në orën 12:00.

Sipas burimeve zyrtare nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, gjatë ditëve të fundit janë përshpejtuar punimet për stabilizimin e zonës së prekur nga rrëshqitja e dherave, si dhe për përgatitjen e kalimit të përkohshëm në një rrugë alternative që do të mundësojë rikthimin e lëvizjes në aksin Librazhd–Prrenjas.

Në terren kanë punuar mjete të rënda dhe specialistë të fushës, ndërsa drejtues të ARRSH kanë ndjekur nga afër ecurinë e ndërhyrjeve. Hapja e rrugës pritet të lehtësojë ndjeshëm qarkullimin dhe të rikthejë normalitetin për banorët dhe bizneset e zonës.

Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve që, pas rihapjes, të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e vendosura në segmentin ku janë kryer punimet.

Ardit Murataj