Mozaiku i Bazilikës Paleokristiane të Elbasanit nga sot është i hapur për publikun.
E njohur edhe si “Bazilika Paleokristiane Extra-muros në Elbasan”, në të janë gjetur shtresa të një mozaiku në sipërfaqen e godinës dhe fragmente mozaiku parietal (mural). Ajo është e pozicionuar fare pranë qendrës së qytetit të Elbasanit dhe është një ndër monumentet më me vlerë të qytetit.
Zbulimi i mozaikut u bë i mundur në gjysmën e parë të vitit 2007, gjatë gërmimeve të kryera në këtë bazilikë në një thellësi rreth 3 m.
17 vite nga zbulimi, sot u bë hapja e mozaikut të Bazilikës Paleokristiane, i cili do të jetë i aksesueshëm për turistët dhe qytetarët, që në afro dy dekada e kanë parë atë nga lart të mbuluar.
Mozaiku ka një sipërfaqe prej 25 metrash katrorë, që gjendet në qendër të qytetit të Elbasanit, pranë një tjetër monumenti, siç është Rrapi i Bezistanit. Mozaiku, përveç dy figurave njerëzore, në përbërje të tij ka edhe elementë të tjerë të cilët përmbajnë skemën e përjetësisë.
Mozaiku do të qëndrojë i hapur për pak muaj dhe do t’i shtohet ofertës turistike kulturore të Elbasanit.
Poshtë këtij mozaiku fshihet një bazilikë e shekullin V, që përbëhet nga shumë elementë arkitektonikë, mes të cilëve vlen të veçohet mozaiku dhe afresket.
Bazilika Paleokristiane të Elbasanit është Monument Kulture i Kategorisë së Parë.